TIRANE – Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar pas deklaratës së ministrit Arben Ahmetaj, për miratimin nga Bordi i FMN-së të këstit të tetë të kredisë për Shqipërinë.

Sipas Tabakut, “në një vend ku borxhi tatimor i kompanive shumë të mëdha është rritur me 79 mln USD lekë, qeveria pretendon se një kredi e dhënë nga FMN dëshmon se vendi është në udhën e duhur. Pa shpjeguar se sa nga kreditë e mëparshme kjo qeveri i ka shpenzuar në shërbim të qytetarëve?”

REAGIMI I PLOTE I TABAKUT NE ‘FB’
Megjithëse mbledhja e të ardhurave është vetëm në rënie sepse vetëm në korrik ka mbledhur 21 mln USD më pak, megjithëse kredidhënia për bizneset ka rënë me 4 mld lekë, qeveria pretendon se biznesi po zhvillohet dhe po zgjerohet. Ashtu sic FMN thotë në deklaratën e saj, emergjente është zgjerimi i bazës tatimpaguese, e cila në të vërtetë në këto 3 vite është reduktuar ndjeshëm, si efekt i taksës progresive.

Në një vend ku borxhi tatimor i kompanive shumë të mëdha është rritur me 79 mln USD lekë, qeveria pretendon se një kredi e dhënë nga FMN dëshmon se vendi është në udhën e duhur. Pa shpjeguar se sa nga kreditë e mëparshme kjo qeveri i ka shpenzuar në shërbim të qytetarëve? Vetëm në 6 mujorin e parë të vitit aktual qeveria ka shpenzuar 19 mln USD nga 76 mln USD (pra 23% të vlerës), pa bërë asnjë projekt të vetëm publik, pa bërë asnjë shkollë të re, asnjë rrugë, asnjë spital asgjë. Vetëm tendera dhe koncesione.

Ndërkohë që FMN jo pak herë ka vënë theksin tek niveli dhe efiçenca e investimeve që janë zëri i fundit i një qeverie që shpenzon paratë e marra hua për të pudrosur rilindjen e dështuar. Me një papunësi në rritje, investime të huaja më të ulëtat në rajon dhe një rritje ekonomike si pasojë e investimeve përpara rilindjes, qeveria ka vendosur të krekoset si gjeli majë rrënojës që ka krijuar.
Të gjitha pasoja të pashmangshme të një politike fiskale që nga xhepi i qytetarëve ka marrë 450 mln USD në tre vite.

AHMETAJ: RIMËKËMBJA EKONOMIKE PO PËRFORCOHET
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj thekson se vendimi i Bordit të FMN-së për rishikimin e tetë të programit me qeverinë shqiptare, konfirmon plotësimin e të gjitha kritereve të performancës të vendosura në program.

Në një status në faqen e tij në “Facebook”, ministri Ahmetaj shkruan se ky vendim i FMN-së është “një tjetër argument i qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri, një tjetër përgjigje e merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin.”

STATUSI I PLOTE I MINISTRIT AHMETAJ
“Sërish lajm i mirë për ekonominë shqiptare dhe një përgjigje e merituar për “kukuvajkat” që dëshirojnë vetëm skenarë të zinj për ekonominë e vendit.
Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi sot rishikimin e tetë të programit me Qeverinë shqiptare duke konfirmuar edhe njëherë plotësimin e të gjithë kritereve të performancës të vendosura në program.

“Rimëkëmbja ekonomike po përforcohet, e mbështetur nga investimet dhe konsumi. Një progres i mirë është bërë me axhendën e reformave strukturore. Inflacioni po rimëkëmbet nga nivelet e ulëta të fillim-vitit ndërsa strategjia e qeverisë për zgjerimin e bazës së taksapaguesve, rritja e pajtueshmërisë së publikut për pagimin e taksave dhe përmirësimi i administratës do të ndihmojnë në uljen e nivelit të borxhit duke krijuar edhe më shumë hapësirë për shpenzime publike produktive” – thuhet në deklaratën e FMN.
Një tjetër certifikim i performancës, një tjetër argument i qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri, një tjetër përgjigje e merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin.”

BORDI EKZEKUTIV I FMN-se MIRATOI KËSTIN E TETË PREJ 35.9 MILIONË EURO
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi rishikimin e kestit te tetë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë sipas marrëveshjes (EFF).
Sipas njoftimit zyrtar Të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, përfundimi i rishikimit mundëson lëvrimin e menjëhershëm të rreth 35.9 milione eurove, duke çuar disbursimet totale sipas marrëveshjes në rreth 298,3 milione euro. FMN njoftoi se vendimi u mor pas një takimi formal.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb