TIRANË– Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e sheh moskthimin e kredive si një rrezik për ekonominë e vendit dhe rimkëmbjen e saj. Ajo eshte shprehur se fokusi i qeverisë duhet të jetë te ekonomia përtej reformës në drejtësi.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nëpërmjet statusit të saj social Facebook pasditen e të mërkurës, thekson se për të nxjerrë një konkluzion të shpejtë të asaj që ka ndodhur në këto dy vjet me ekonominë tonë, mund t’i hedhim një sy kredimarrjes.

“Biznesi për dy vjet ka ulur volumin e kredisë, qeveria nga ana tjetër, ka trumbetuar që ka shlyer borxhet që bizneset të kenë mundësi të paguajnë kreditë. E vërteta është që bizneset nuk kanë shlyer kredi, që borxhet nuk dihen se ku kanë përfunduar dhe se viti 2015 dëshmoi që bizneset që deri më dje kanë qenë të shëndetshme, po ndjejnë vështirësi. Të dhënat e Shoqatës të Bankave bejne te ditur se edhe ato biznese që nuk kanë pasur probleme me kthimin e kredisë po tregohen të vonuara në kthimin e saj. Sipas shoqates, muajt tetor-nëntor 2015 kanë folur për një vonesë me 60 ditë në shlyerje e huave, tregues i shtrëngesës ekonomike që do të vazhdojë edhe këtë vit”.

Në argumentimin e saj, Tabaku pohon se “Nga ana tjetër, cmimi i naftës në bursë ka shkuar poshtë 35$/ fuçi, ndërkohë që në Shqipëri qytetarët ende paguajnë çmime të larta. Kjo sepse qeveria ka rritur me 20 lekë taksën e qarkullimit (në këto dy vjet nga 7 lek/litër në 27 lek/litër) duke mos i dhënë qytetarëve mundësi të përfitojnë nga ulja e çmimit të naftës. Vendi po thith gjithnjë e më pak investitorë të huaj dhe po sulmon gjithnjë e më shumë sipërmarrjen vendase përmes aksioneve që vijnë si fasadë për të mbuluar abuzimet”.

Ndër të tjera, Tabaku sugjeron se fokusi kryesor duhet drejtuar nga ekonimia dhe pohon se “Prandaj është afërmendsh të mendosh se fokusi kryesor i këtij viti, përtej reformës në drejtësi, duhet të jetë ekonomia, sepse është ajo thembra e Akilit e një qeverie”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: