Pas raportimit në Kuvend të Autoritetit të Konkurrencës, deputetja demokrate Tabaku, ka kritikuar sjelljen e këtij institucioni që nuk mbron shqiptarët nga monopolet dhe oligopolet por i promovon ato. Deputetja demokrate njëkohësisht dhe anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, iu drejtua shqiptarëve duke i pyetur se kush është arsye që paguajnë më shumë për celularët, ushqimet dhe siguracionet? Sipas saj e gjithë kjo vjen sepse qeveria nuk bën detyrën e saj dhe se Autoriteti i Konkurrencës ka rreshtuar së kryeri punën.

“konsumatorët shqiptarë janë duke paguar çmime më të larta, po rripen në supermarkete, në sigurime, në telefoninë celulare dhe nuk po e marrin shërbimin.” Vijooi ajo në fund të videos.

Më poshtë mesazhi i plotë i deputetes Tabaku:

Detyra e çdo institucioni të pavarur, duke përfshirë dhe Autoritetin e Konkurrencës, është mbrojtja e konsumatorit. Së pari, duke ofruar çmimet më të ulta në treg dhe duke siguruar konkurrencë që kjo të ndodh. Së dyti, duke u kujdesur që ne kemi produkte me cilësi. Por si realizohet kjo? Duke pasur tregje me konkurencë, duke lejuar që në tregjet kryesore të mos ketë 2 ose 3 kompani siç ndodh, duke ndaluar marrëveshjet për çmimet. A po realizohet kjo? A po e kryen Autoriteti i Konkurrencës funksionin e tij? Sot nga produktet e shportës që na vijnë ne tryezë e deri tek shërbimet tjera që lidhin me sigurimet, telefoninë celulare, me karburantet ne kemi çmime më të larta. Sepse Autoriteti i Konkurrencës dhe konkurrenca në tregje nuk është e siguruar, sepse kompanitë bëjnë marrëveshje dhe nuk është askush aty për të mbrojtur konsumatorin. Situata në tregjet e kapura dhe në sektorët më të rëndësishëm është kthyer sot në kosto, jo vetëm për tryezat e shqiptarëve, por njëkohësisht dhe për çmimet në sektorët më të rëndësishëm. Po nëse Autoriteti i Konkurrencës dhe çdo institucion tjetër i pavarur nuk janë atje për të mbrojtur interesin e konsumatorit, për çfarë ekzistojnë ato? Sot konsumatorët shqiptarë janë duke paguar çmime më të larta, po rripen në supermarkete, në sigurime, në telefoninë celulare dhe nuk po e marrin shërbimin. Kjo është sfida që i bëra atij institucioni dhe mbeti pa përgjigje!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: