Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka bërë një denoncim të fortë kundër qeverisë, duke e cilësuar atë si të vetmen në botë që përballet me një akuzë zyrtare për funksionim si grup i strukturuar kriminal. Në një deklaratë tronditëse, Tabaku tha se skandalet korruptive me koncesionet dhe tenderat publikë, nga inceneratorët e deri te shëndetësia, janë prova më e qartë e rrënimit që kjo qeveri po i bën vendit.

“Kjo është qeveria që ka përgatitur dhe zbatuar manualin më perfekt të korrupsionit endemik”, u shpreh Tabaku, duke shpjeguar se çdo dokument tenderi, çdo term reference dhe çdo kriter hartohet nga ata që përfitojnë direkt prej tij. Ajo shtoi se zyrtarët e përfshirë në këto afera korruptive firmosin dhe miratojnë gjithçka pa hezitim, duke u bërë pjesë e një mekanizmi të mirëstrukturuar kriminal.

Tabaku denoncoi edhe fazën e fundit të këtij cikli të korrupsionit: pagesat dhe zbatimi i kontratave, pavarësisht se shërbimet mungojnë dhe buxheti i shtetit nuk përfiton asgjë. “Nga inceneratorët, te shëndetësia, te rrugët dhe energjia, kjo qeveri ka vjedhur shqiptarët deri në qindarkën e fundit. Taksat e larta që paguhen nga qytetarët nuk shkojnë për një jetesë më të mirë, por për të mbështetur këtë grup të strukturuar kriminal”, tha ajo.

Deputetja demokrate akuzoi qeverinë se ka shkatërruar çdo mundësi ekonomike për shqiptarët, duke i detyruar ata të braktisin vendin. Sipas saj, ky model qeverisës i bazuar në korrupsion është arsyeja kryesore për rrënimin ekonomik të vendit dhe për faktin që shqiptarët po humbasin çdo shpresë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri.

“ Kjo qeveri po merr frymën ekonomike të vendit. Për 11 vite, ky grup i strukturuar kriminal ka shpërndarë buxhetin e shtetit si pronë private, ka vendosur taksa të papërballueshme dhe ka siguruar mbrojtje politike për çdo aferë korruptive”, tha Tabaku, duke i bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe t’i japin fund këtij modeli shkatërrimtar.

Në fund, Tabaku paralajmëroi se Partia Demokratike do të vazhdojë të denoncojë këto skandale dhe të luftojë për drejtësi, duke mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë.

“Kjo është e vetmja Qeveri në botë e cila ka një akuzë zyrtare si grup i strukturuar kriminal për afera korruptive. Cfarë ka ndodhur e cfarë ndodh rëndom me kontratat koncensionare, duke nisur me inceneratorët e duke përfunduar me shëndetësinë ku tashmë kjo akuzë është duke u provuar.Të gjitha dokumentat e tenderit, termat e referencës, të gjitha kriteret përcaktohen nga ai që do të marrë tenderin e më pas në rresht për një të gjithë zyrtarët i firmosin e i miratojnë.Faza e tretë, në rresht për një, të gjithë zbatojnë kontratat, japin fondet, paguajnë, megjithëse shërbime nuk ka, nuk jepet asgjë për buxhetin e shtetit e më pas, të gjithë në rresht për një i mbrojnë e sigurojnë mbrojtje politike. Ky ëshë në fakt manuali më perfekt i korrupsionit endemik, i atij korrupsioni i cili është duke gërryer xhepat e shqiptarëve, që është duke hequr cdo mundësi ekonomike nga shqiptarët e është duke i detyruar ato që të largohen. Ky grup i strukturuar kriminal po e merr sot frymën ekonomike. Ky grup i strukturuar kriminal është arsyeja për këtë që po ndodh këtu në Shqipëri e për atë që ka ndodhur për 11 vite, për shpërndarjen e buxhetit,për taksat e larta që sot nuk shkojnë dot për një jetesë më të mirë po shkojnë për të mbështetur këtë grup të strukturuar kriminal.Ka ndodhur tek inceneratorët, tek shëndetësia, tek rrugët, tek energjia, është pikërisht mënyra si ka funksionuar e funksionon”, shprehet deputetja e PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb