TIRANE- Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku së bashku me dy nënkryetarët e minibashkive nr.4 dhe nr.11 në kryeqytet, kanë denoncuar sot heqjen nga lista e ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë.

Sipas tyre, padrejtëshit janë hequr nga listat 160 familje nga njësia nr.4 dhe 100 nga njësia 11.

“Që Ministri Veliaj gënjen, kjo nuk është e re për asnjë qytetar. Së pari po i bej me dije ministrit të paditur se: Ndihma ekonomike që nga qershori i vitit 2014 shpërndahet vetëm me firmën e tij. Me një sistem aspak transparent, minibashkitë e Tiranës janë përjashtuar totalisht nga procesi dhe mijëra familje janë hequr nga listat pa asnjë lloj argumentimi. Vetëm gjatë vitit 2015 në Njësinë Bashkiake 4 janë hequr nga lista 160 familje, ndërkohë që në njesinë 11 janë hequr nga lista rreth 100 familje dhe çdo muaj refuzohen mbi 60 familje në çdo njësi që aplikojnë dhe vleresohen sipas një sistemi që ka dijeni vetëm ministri”.

Në lidhje me këto akuza, Tabaku i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet.

“Ne i bëjmë thirrje sot prokurorisë së përgjithshme të nisë menjeherë hetimet në lidhje me abuzimet që po bëhen me listat e ndihmës ekonomike nga ministria e zotërisë. Në lidhje me banesat sociale, i kërkojmë kandidatit të jetë me kreativ në abuzimet e tij. Banesat sociale janë dorëzuar të përfunduara vetëm në shkurt të vitit 2014. Shpërdarja e tyre është bllokuar me urdhër politik të Edi Ramës nga këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kanë bllokuar rreth 85 projekte investimi për qytetin duke përfshirë dhe projekte strategjike si bulevardi, Lumi i Tiranës, terminali multimodal dhe manaxhimi i mbetjeve. Varfëria dhe mjerimi nuk mund të luftohen me ndihmë ekonomike e cila në fakt është ulur në minimum. Shqiptarët nuk jetojnë dot me 5,000 në muaj. Shqiptarët presin: 300 000 vendet e reja të punës, uljen e çmimit të energjisë, të karburantit, të taksave, fermerët presin subvencione. Eksodi është meritë e politikave të kësaj qeverie dhe është e turpshme për një kabinet qeveritar të ndajë Shqipërinë në tonën dhe tyren”,- shtoi deputetja.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: