Ish-deputetja Jorida Tabaku deklaroi në një dalje për media se kur Partia Demokratike të vijë në qeveri do të pezullojë të gjitha ligjet anti-kushtetuese, që sipas saj, u mohojnë të drejtën e pronës pronarëve të vërtetë.


Sipas ish-deputetes tabaku, edhe Komisioni i Venecias ndan të njëjtin opinion si opozita, që çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

“Partia Demokratike do të miratojë një paketë të plotë ligjore që respekton pronarët dhe trajton me drejtësi çështjet e pronave, kthimin apo kompensimin fizik të tyre”, tha Tabaku.


DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU


Që nga viti 2013 Qeveria e Edi Ramës ka miratuar disa ligje për pronën, të cilat kanë një qëllim të vetëm: zaptimin e pronës private dhe publike dhe tranferimin e saj tek disa klientë të Edi Ramës.

Çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

Në këtë përfundim ka dalë edhe Komisioni i Venezias, i cili ndan të njëjtin opinion si opozita, Presidenti dhe shoqatat e pronarëve se qeveria shqiptare, me të padrejtë, u heq mundësinë e kompensimit fizik pronarëve, duke i përdorur këto toka për interesat grabitqarë të disa oligarkëve, pa u dhënë pronarëve të vërtetë mundësinë e gëzimit të pronës.

Komisioni I Venecias ka dalë në përfundimin se edhe ligji i ri për “Tokën”, është në kundërshti me të drejtat e njeriut dhe nuk merr parasysh të drejtat e sanksionuara në konventat ndërkombëtare të njeriut.

Ashtu si çdo ligj tjetër që kanë hartuar për pronën, gjithë paketës ligjore i mungon qartësia, – thotë Venecia,- i mungon saktësia dhe, ç’është më e rëndëisshme, ka një fuqi shumë të gjerë rregulluese të Këshillit të Ministrave, ka mungesë të hapave procedurialë dhe afate të caktuara qartë.

Me këtë paragraf Komisioni Venecias përmbledh shumë qartë çdo gjë që ka bërë qeveria për pronën: ka shkelur kushtetutën, ka zaptuar pronën private dhe publike, ka marrë kompetenca që nuk i takojnë, duke ndarë prona private dhe publike me Korporatën e investimeve.

Me vetëdijen se gjatë qeverisjes sonë nuk I dhamë zgjidhje çështjes së pronës, Partia Demokratike e ka njohur Komisionin e Venezias me një plan të ri të opozitës për të zgjidhur problemin e pronave.

Partia Demokratike në qeveri do të pezullojë të gjitha ligjet anti-kushtetuese, që mohojnë të drejtën e pronës si Ligji Investimeve Strategjike, Ligji për Kompensimin e Pronës të vitit 2015, Ligjin e Kadastrës dhe ligjet e tjera në lidhje me pronën.

Partia Demokratike në qeveri do të krijojë një bazë të dhënash me të gjitha pronat publike që sot jepen për 1 euro, por në vend që t’u jepen pronarëve, shfrytëzohen nga oligarkët.

Me besimin se pa gëzuar pronën, nuk mund të gezojmë liri të vërtetë, Partia Demokratike do të bëjë të mundur që të drejtën e pronës ta gëzojnë pronarët e vërtetë, jo miqtë dhe klientët e kryeministrit, siç po ndodh me qeverinë e Edi Ramës.

Këto janë bazat mbi të cilat Partia Demokratike do të miratojë një paketë të plotë ligjore që respekton pronarët dhe trajton me drejtësi çështjet e pronave, kthimin apo kompensimin fizik të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb