Gjatë seancës së sotme parlamentare, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku pati një replikë me ministrin e Financave, Petrit Malaj. për Profesionet e Lira. Tabaku ngriti sërish çështjen e profesionistëve të lirë, të cilët kanë paguar një taksë që tashmë është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

Ajo pati një përplasje për shumën e grumbulluar nga Drejtoria e Tatimeve tek 10 mijë profesionistë të lirë. Ajo tha se shuma e kundërshtuar nga ministri kishte burim Drejtorinë e Tatimeve, duke u shprehur se janë mbledhur rreth 10 milionë euro nga 10 mijë profesionistë të lirë, ndërsa Ministri i Financave ka raportuar një shifër prej 5 milionë eurosh.

Tabaku, e cila ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme këtë problem në parlament, theksoi se, pavarësisht shumës së mbledhur, çdo lek i marrë nga këta profesionistë është i padrejtë dhe duhet t’u kthehet atyre.

“Ai vendim i Gjykatës Kushtetuese që e shpalli këtë taksë si antikushtetuese është ende në fuqi. Sot, dje dhe nesër, mbetet i njëjti – taksa ishte dhe është antikushtetuese. Pavarësisht nëse profesionistët e lirë e kanë paguar apo jo, këto para duhet t’u kthehen, ” deklaroi Tabaku gjatë fjalës së saj.

Deputetja gjithashtu theksoi hipokrizinë e qeverisë, duke vënë në dukje faktin që, ndërkohë që shtohen miliona euro për tre kompani me justifikimin e rritjes së çmimeve, shteti vazhdon të neglizhojë të drejtën e profesionistëve të lirë për kthimin e parave të tyre.

“Çfarë ndodh kur një tatimpagues është në borxh me shtetin? Ai paguan gjobat dhe kamatëvonesat. A po merr qeveria përgjegjësinë për shkeljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?”, tha Tabaku, duke bërë thirrje për zbatimin e menjëhershëm të vendimit dhe kthimin e fondeve për profesionistët e prekur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb