Më pyetjen Përse protestojnë studentët?, deputetja e PD Jorida Tabaku reagon përmes një postimi në facebook në lidhje me protestën e studentëve sot para ministrisë së Arsimit. Ndërsa e konsideron reformën e Arsimit si mëmë të të këqijave, Tabaku shkruan se ajo prodhon ndër të tjera edhe rritje tarifash për studentët.

“Mëma e të këqijave sot është Reforma e Arsimit që prodhon ndër të tjera edhe rritje tarifash për studentët. Kjo Reformë qe ogurzezë për studentët dhe ndonëse opozita e kundërshtoi dhe replikoi ashpër me qeverinë sërishmi kokëfortësia dhe makutëria e mazhorancës fitoi. Dy probleme kishte reforma; së pari zhdukte autonominë e Universiteteve dhe së dyti krijonte të gjitha kushtet që qeveria të shtrenjtojë tarifat për studentët duke shkatërruar kështu arsimin publik në shërbim të interesave klienteliste private.” -shkruan Tabaku.

Në vijim deputetja demokrate, publikon edhe VKM e qeverisë Rama për tarifat e studentëve.
“Nën frymën e këtij ligji 8 muaj më parë kjo qeveri firmosi me VKM rritjen e tarifave për studentët. Ministria e Arsimit i hapi rrugë kështu shtrenjtimit të dijes duke mos sjellë asgjë tek studentët. Ndërkohë që universitetet klienteliste përfitonin nga ligji në fjalë.” Vijon Tabaku në reagimin e saj, ndërsa thekson se protesta e studentëve është sot më se e motivuar dhe e ligjshme. Ato u gënjyen nga ministria dhe gjithë qeveria.

“Tarifat e rritura me VKM nuk do të përkthehen në më shumë investime apo faktorë plus për studentët dhe punën kërkimore, përkundrazi tarifat shtrenjtohen që qeveria të ketë më shumë të ardhura në xhep dhe me to të japë koncesione dhe PPP tek kompanitë oligarke.Buxheti 2019 në fakt është një tjetër provë për politikën e zhvatjeve. Qeveria takson qytetarët që pushtetin t’ia japë oligarkëve që nuk janë vetëm se vetë qeveritarët.”- mbyll Tabaku reagimin në facebook.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb