Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se Tirana është në kolaps të plotë, për shkak të mungesës së ujit.


Tabaku shprehet se ndërsa është ky realitet për qytetarët e kryeqytetit, kryebashkiaku vazhdon me propagandë bajate. Ajo ka postuar edhe një fotografi nga lagjia ku jeton vetë, ku shihet sesi uji vjen me autobotë.


Postimi i Jorida Tabakut:


Tirana Mesjetare

U bë disa javë që Tirana është në kolaps të plotë dhe pa ujë të pijshëm ndërsa administrata e bashkisë Tiranë bashkë me kryetarin e saj vazhdojnë parodinë e propagandës për çmimet që fitojnë jashtë në këmbim të lejeve të ndërtimit. Tirana është sot një nga qytetet më kaotike dhe njëkohësisht administrata e saj është më e paaafta ndonëse falë kërbaçit dhe shtetit policor ajo mbledh 173 mln euro të ardhura, siç edhe raporton buxheti i vitit 2018.

Kjo vlerë është 30% më e lartë se sa të ardhurat që kjo bashki ka mbledhur nëvitin 2015, rritja e të ardhurave nuk ka ardhur nga mirëmnaxhimi i mbledhjes por si pasojë e rritjes së taksave dhe tarifave. Çmimi i ujit u rrit nga bashkia Tiranë në nëntor 2017 ku një familje paguan 20 lek/metër kub (pra me 31%) më shtrenjtë, për bizneset u rrit me 25 lek/metër kub (16% më shumë).

Sakaq, u vendos që edhe taksa e banesës (e cila u rrit nga qeveria socialiste në vitin 2018 duke u katërfishuar), të mblidhej në faturat e ujit (pra nga UKT).Tarifa e rritur e ujit dhe taksa e banesës e rritur me vendim të qeverisë i sollën për vitin 2018 të ardhrua në vlerën e 1.87 mld lekëve (18 mln euro) apo 14% të të ardhurave të Bashkisë Tiranë për vitin 2018. Për vitin aktual të ardhurat e mbledhura nga UKT prej qytetarëve dhe biznesëve është 239 mln lekë ( thuajse 2 mln euro) që janë rreth 9% e të ardhruave të bashkisë Tiranë për tremujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat tregojnë se bashkia Tiranë ka rritur me 40% të ardhurat tek UKT vetëm nga rritja e taksës së pronës në raport me vitin 2015. Ndërkohë që për vitin aktual Bashkia Tiranë pritet të arkëtojë 35% më shumë nga tarifat dhe taksat që i janë rritur qytetarëve të Tiranës.

Afërmendsh qytetarët që paguajnë 30% më shtrenjtë ujin dhe katër herë më shtrenjtë taksën e banesës dua të kuptojnë se përse nuk kanë ujë? Përgjigja mbase fshihet në propagandën e përditshme të Bashkisë e cila është kujdesur që krizën e thellë të furnizimit me ujë të mos e paraqesë as në media. Me një stil sa gëbelsian aq edhe stalinist, askush nga media nuk pipëtin për situatën mesjetare të ujit në Tiranë ndërsa kronikat propagandistike të bashkisë vazhdojnë të furnizojnë mediat me lajmet se Tirana po fiton përherë e më shumë çmime ndërkombëtare.

Ps: Foto e realizuar sot ne Zonen time elektorale ne Rrugen 4 Deshmoret ne Tirane!

(d.xh/Balkanweb)