TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike për Tiranën, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit socialist Ervin Bushati për situatën ekonomike në vend. Deputetja demokrate në një deklaratë për mediat thotë se “korrupsioni dhe abuzimet po mbulohen me gënjeshtra, ndërsa shton se për muajin korrik mosrealizimi i të ardhurave është 25 milionë dollarë.

“U bë zakon tashmë që korrupsioni dhe abuzimet t’i mbulojnë me gënjeshtra. Është fakt që vetëm në muajin korrik mosrealizimi i të ardhurave është 25 milionë dollarë duke e çuar në shifrën rekord 160 milionë dollarë mosrealizimin e të ardhurave që ka ardhur si rrjedhore e rritjes së taksave, informalitetit, korrupsionit e abuzimeve.

Z. Bushati që ka qenë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak e di më mirë se kushdo që në vitin 2011 gjetëm 80 milionë USD borxhe e vetëm 1.4 mln usd në llogarinë e Bashkisë vetëm për pagat e një muaji.

Siç duket rritja e borxhit në shifrat alarmante të 74% të GDP dhe rënia drastike e të ardhurave do të vazhdojë dhe në muajt në vijim e duket se qeveria nuk ka ndërmend të ndërrojë kurs”, u shpreh deputetja Tabaku.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: