TIRANE-Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano i ka telefonuar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin ka biseduar lidhur me situatën e krijuar në tragetin “NORMAN ATLANTIC”. Në njoftimin për shtyp bëhet me dije se të dy ministrat kanë shkëmbyer informacione për ecurinë e deritanishme të operacionit të shpëtimit.

Ministri Tahiri e informoi Alfanon se e gjithë infrastruktura pritëse në të gjitha portet e Shqipërisë është në gadishmëri maksimale për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet nga ankorimi i tragetit në këto porte dhe emergjencës shëndetsore për pasagjerët.

Sipas Alfanos 138 pasagjerë janë evakuuar tashmë dhe ndërkohë vijon operacioni për shpëtimin e çdo pasagjeri.

Të dy ministrat po mbajnë kontakt të vazhdueshëm personal për përballimin e situatës emergjentë.

Trageti tashmë ka hyrë në ujërat shqiptare. Ai lëviz në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa anijet e shpëtimit qëndrojnë rreth tij për të bllokuar dallgët, pasi është thuajse e pamundur të mundësohet evakuimi i personave që janë ende në bord për shkak të dallgëve që arrijnë deri në 8 ballë. Sipas Kapitenerisë së Vlorës, trageti është duke lëvizur në drejtim të Veriut, drejt Durrësit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: