TIRANE

Komisioni hetimor që do të verifikonte veprimet dhe mosveprimet e organeve hetimore për fenomenin e kultivimit e narkotikëve dhe për ish-ministrin e brendshëm, i quajtur ndryshe edhe komisioni “Tahiri” ka qenë sot tema e diskutimeve të Konferencës së Kryetarëve.

Sipas Taulant Ballës, ndonëse PD dhe LSI kërkonin vazhdimësinë, këtij komisioni ka dy muaj që i ka mbaruar mandati. Megjithatë tha Balla, gjatë mbledhjes së sotme u ra dakord që PD dhe LSI të ribëjnë një kërkesë që hetimet të vazhdojnë.

“Dakordësuam precedentin parlamentar, PD dhe LSI të sjellin një kërkesë përsëri siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji me qëllim që të vijojë procesi hetimor siç e duan ata. Ne nuk do shkelim as Kushtetutën dhe as rregulloren e Kuvendit se ishte PD në gjumë për dy muaj”,- tha Balla.

Më tej Balla shtoi se anëtarët e opozitës në këtë komision kanë treguar edhe më herët mungesë serioziteti.

“Komisionit i është vënë në dispozicion pjesa më e madhe e dokumentacionit, mund të ketë edhe informacione të padokumentuara por siç tha dhe zonja Felaj ata kishin mungesë serioziteti. Ligji për administrimin e informacioneve të klasifikuara ka detyrimin që personat që iu vihet në dispozicion duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb