KAVAJE-Ministrat Saimir Tahiri dhe Edmond Haxhonasto janë rikthyer në rezervuarin e Manskurisë, në Golem të Kavajës, i cili pas rreshjeve të shumta të ditëve të fundit dhe dëmtimit të digës, rrezikoi çarjen dhe përmbytjen e zonës.

Ministri i Brendshëm Tahiri tha se po punohet në këtë vepër për të shmangur rrezikun, sado i vogël qoftë ai.

“Prefekti i Tiranës, të gjitha strukturat drejtuese te emergjencave civile, të ushtrisë, policisë kanë qenë këtu pa pushim për të mbajtur nën kontroll një situatë që përndryshe mund të rezultonte edhe me probleme nga pikëpamja e menaxhimit. Siç e tha edhe kolegu Haxhinasto, situata është nën kontroll dhe nuk duket që të kemi probleme të dukshme ose potenciale për sa i përket sigurisë në këtë vend. Gjithashtu përfitoj nga rasti t’ju bëj me dije që situata në të gjithë vendin, të paktën në zonat e përmbytura është e stabilizuar. Moti parashikohet të jetë me reshje por gjithsesi jo në përmasat e reshjeve të fundit të janarit që pastaj edhe u shkaktua edhe dalja e lumenjve nga shtrati dhe përmbytja e zonave që ju dini. Gjithsesi shtabet e emergjencës janë në gatishmëri, të gjitha forcat janë në gatishmëri. Prioriteti është shmangia në maksimum e çdo pasoje cilado qoftë ajo, e para. Dhe e dyta, organizimi i gjithë rrjetit të solidaritet dhe të dhënies ndihmë për të gjithë qytetarët të cilët janë në kushte të vështira për shkak të përmbytjeve. E gjithë qeveria është në këmbë, të gjithë strukturat janë në gatishmëri maksimale. Siç jemi ne këtu, i gjithë kabineti është shpërndarë, Kryeministri është në drejtim të zonave të jugut, për të monitoruar dhe koordinuar bashkëpunimin e të gjithë forcave për shpërndarjen e ndihmave për banorët e përmbytur. Sepse ne besojmë shumë fort që e keqja akoma nuk është mbyllur, nuk ka përfunduar akoma, deri në momentin kur situata të stabilizohet tërësisht dhe kur qytetarët t’i rikthehen normalitetit.”, theksoi Tahiri.

Ministri i Brendshëm Tahiri tha në vizitën e parë në këtë rezervuar, se do të ketë hetime për ndërhyrjet në digën e tij, nga firma që ka ndërtuar ujësjellësin e Kavajës.

Gjatë inspektimit të sotëm Ministri Haxhinasto bëri me dije se situtata ishte nën kontroll të plotë dhe ka një angazhim maksimal nga të gjithë institucionet për realizimin e hapjes së sistemit të shkarkimit, problematikë e dalë si pasojë e ndërhyrjeve të gabuara në projekt.

“Janë marrë të gjitha masat për paisjet dhe mjetet, që duhen për hapjen dhe sistemin e shkarkimit të rezervuarit, si dhe zgjidhjen teknike që po i jepet situatës ku ndodhemi, për ta pasur nën kontroll situatën. Gjej rastin të falenderoj, për mbështetjen që na kanë ofruar me teknologji dhe paisje Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe biznesi vendas”: – tha Ministri Haxhinasto.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: