TIRANE- “Të gjitha shtetet rrezikohen njëlloj nga terrorizmi”. Këtë e ka shprehur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një konferencë të Institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, me temë “Ekstremizmi fetar si kërcënim për sigurinë”. Ministri Tahiri tha se terrorizmi mund të luftohet me dije dhe zhvillim ekonomik, ndërsa kërkoi një bashkërendim e bashkëveprim mes shoqërisë civile, komuniteteve vendore dhe fetare me strukturat shtetërore për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit, që sipas tij, është kërcënim i përhershëm.


“Ngre pyetjen a është imune Shqipëria nga rreziku i ekstremizmit të mundshëm? Sigurisht që është e rrezikuar, pasi zhvillimet në rajon, e kanë treguar se asnjë vend nuk është imun. Por në vend është e dukshme se situata është e qetë, dhe nuk ka raste të ekstremizmit të dhunshëm. Një numër jo i vogël i informacionit të shkëmbyer me partnerët për tendenca të mundshme të ekstremizmit të dhunshëm dhe eksportimit të luftëtarëve në vende të huaja, na ka treguar se duhet të jemi të kujdesshëm. Edhe Shqipëria edhe rajoni e kanë evident rrezikun nga ekstremizmi i mundshëm. Është një fenomen që adresohet më së pari me instrumente shoqërore që janë me rëndësi për parandalimin e rrezikut”, tha ministri Tahiri.

Ndërsa ambasadori i SHBA në vendin tonë Donald Lu tha se në përpjekjet në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit duhet të hartohet një strategji ndërkombëtare.

“Mijëra persona kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar ISIS. Bota është e shqetësuar nga veprimet e dhunshme të kryera nga militantët. Obama ka parashtruar tre fusha veprimi, dhe ne duhet të jemi të përkushtuar në luftën tonë kundër ekstremizmit dhe dhunës. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të ngritur lart vlerat e tolerancës dhe paqes”, tha ambasadori Lu.

Sipas ambasadorit, bota rrezikohet nga ISIS dhe grupet e tjera ekstremiste. “Ndaj këtë punë nuk duhet t’ja lëmë fëmijëve tanë, por duhet të angazhohemi vetë.”, tha Donald Lu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb