TIRANË

Analisti Fatos Lubonja mendon se nuk ka prova të mjaftueshme për të dënuar ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News24, Lubonja tha se prokuroria nuk ka hetuar si duhet dhe se Tahiri duhej të hetohej si ministër jo si person.

Sokol Balla: A do jetë dramë nëse Saimir Tahiri dënohet me burg apo do jetë e kundërta?
Fatos Lubonja: Ndër shumë drama që ka pas Shqipëria është një dramë e vogël. Edhe unë jam dakord me atë që thotë avokati me aq sa kam dëgjuar unë që ato provat e dhëna nga prokuroria nuk janë të mjaftueshme. Por kjo nuk është se e shfajëson Saimir Tahirin sepse mendimi im është që Prokuroria nuk ka hetuar si duhet. Çështja e Saimir Tahirit shtrohet sikur është fjala për një person, është apo nuk është pjesëtar i një grupi kriminal, persona. Është apo nuk është dhe provat që ky i ka marrë makinën këtij apo ia ka dhënë makinën këtij, nuk janë të mjaftueshme.

Hetimi që duhet të bënte prokuroria sipas mendimit tim është hetimi mbi Saimir Tahirin ministër dhe mbi veprimet dhe mos veprimet e Saimir Tahirit lidhur me këtë rast konkret por edhe në përgjithësi. Çështjen Tahiri e shoh si një puzzle, por e vërteta qëndron tek e tëra jo tek pjesa.

Në këtë puzzle e madh prokuroria nuk ka kërkuar fare për ta ndërtuar siç është figura. Nga ato që kemi dëgjuar për Saimir Tahirin, gjëja më skandaloze për mua ka qenë trajtimi i Zaganit.
Zagani ishte njeriu që po hetonte mbi këta njerëz dhe e detyruan të ikë e kërcënuan dhe unë nuk di që prokuroria ta ketë marrë qoftë dhe në pyetje për këtë. Pra unë mendoj që hall të dënohet, hall të mos dënohet. Është shumë komplekse. Ju përmendët disa herë amerikanët, nuk mundet të dënosh pa prova. Ose duhet t’i kërkojnë prokurorisë pse nuk ke hetuar dhe pse nuk ke shkuar gjer në fund dhe këtu, përse nuk kanë shkuar deri në fund prokuroria është çështja e madhe, që lidhet me politikën.

Ai është pjesë e një organizate. Edhe vetë po hedh disa mesazhe. Gjithë show që bënë këta që po luftojmë kanabizimin u demaskua që Shqipëria ka një kanabizim. Ka shumë prova që Saimir Tahirin e vënë në përgjegjësi politike por ndoshta dhe ligjore për veprime dhe mos veprime. Nuk ma merr mendja të jetë ky organizator i këtij grupi. Ore ky njeri që erdhi, pse erdhi, si erdhi? Ky vjen me një makinë super luksoze, vjen me një jaht…A ka hetuar kush, a di kush ky njeri si i bëri se këto jahtet nuk i bëjmë dot aq kollaj ta hajë dreqi. Ky vjen dhe na bëhet eksponent i madh dhe këto janë gjëra futen tek puzzle për ta ndërtuar dhe për të thënë që në këtë rast kemi thjesht një prokurori të kastruar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb