ELBASAN- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke folur nga ambientet e laboratorit të kokainës në Fushë-Labinot të Elbasanit tha se ky operacion tregon ndarjen e politikës nga krimi i organizuar.

Tahiri ka udhëtuar sot drejt Elbasanit, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ku është njohur më nga afër me detaje të operacionit anti-trafik të policisë shqiptare dhe partnerëve të saj evropianë, që çoi në pranga 11 persona si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Ministri i Brendshëm e ka vlerësuar operacionin e mbrëmjes së të mërkurës, si më i madhi pas atij të Lazaratit dhe Dukagjinit.

“Pas Lazaratit, pas Dukagjinit, pas punës që bëri policia e shtetit për të zhdukur çdo rrënjë kanabis në vend, ky operacion flet për suksesin e policisë. Tregon për integritetin e Policisë së Shtetit dhe për ndarjen e krimit nga politika. Në të kaluarën shteti ka qenë i zhytur deri në fyt në botën e krimit. Rezultate të tilla flasin për një punë pa dekonspirim. Ky operacion flet më së miri për një punë të  ngushtë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtar. Hetimi do vazhdojë edhe me pasuritë dhe asetet që ka prodhuar ky aktivitet kriminal. Ky operacion flet shumë më qartë dhe shumë më fortë se çdo deklaratë politike e deritanishme”, tha Tahiri nga laboratori i drogës i zbuluar në një ambient të magazinave të rezervave të shtetit në Fushë-Labinot të Elbasanit.

Ndërsa duke ju përgjigjur sulmeve të opozitës për këtë operacion, Tahiri tha se “droga ka qenë këtu por ajo që ka ndryshuar është profesionalizmi i policisë”.

“Jam këtu tu bëj thirrje atyre që flasin, të heshtin të lënë Policinë e Shtetit të bëjë punën e saj pa presionet e politikës. Droga këtu ka qenë, siç ka qenë rasti i kanabisit, siç dëshmon edhe ky rast. Por ajo që ka ndryshuar është profesionalizimi i punonjësve të policisë, integriteti. Sot policia lufton krimin dhe nuk ndan paratë e krimit, ca për shefat e policisë dhe ca për ata që bëjnë krimin”, është shprehur ministri Saimir Tahiri.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb