TIRANE

Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha pas mbledhjes së Konferencës së kryetareve se nuk është pranuar kërkesa e opozitës për zgjatjen punimeve të komisionit hetimor parlametar për çështjen ‘Tahiri’ me pretendimin e mazhorancës se ka kaluar afati.

Por pavarësisht refuzimit të mazhorancës, Paloka u shpreh se opozita do bëjë kërkesë tjetër për shtyrjen e afatit të komisionit për çështjen ‘Tahiri’ për të zbuluar sipas tij lidhjet e qeverisë me drogën.

U kërkua shtyrjen e afatit, por u hodh poshtë me pretendimin se ka kaluar afati për kërkesë për shtyrjen e tij. Ne jemi të vendosur do ta ri bëjmë kërkesën dhe komisioni do të shkojë deri në fund.Do ta ribëjmë sërish kërkesën. Komisioni do të ringrihet pavarësisht se përpiqen ta pengojnë. Ka vetëm një qëllim, edhe pse Ruçi ju tërhoqi vërejtje formalisht institucioneve dhe iu drejtua të deleguarës të radhës Spiropali që institucionet t’i përgjigjen parlamentit. Jam i bindur që kjo histori do të vazhdojë kështu sepse nuk mundet as Rama dhe askush tjetër të demaskohen për lidhjet që kjo qeveri ka me krimin dhe drogën, sidomos gjatë kohës kur ministrinë e Brendshme e drejtonte Tahiri”- tha Paloka.

Paloka në konferencën e kryetarëve ka kërkuar shtyrjen e mëtejshme të afatit të komisionit hetimor për implikimin e strukturave të policisë në trafikun e drogës. Ai ka denoncuar problemet me të cilat po përballet Komisioni Hetimor për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e institucioneve shtetërore.

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë në krye të institucioneve që refuzojnë të kthejnë përgjigje lidhur me dokumentacionin e kërkuar nga komisioni hetimor dhe në disa raste, kërkesave tona u përgjigjen me kërkesa për shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumentacionit. Disa herë gjatë 2018-s kemi marrë kërkesa për shtyrje afatesh për dokumentacion, me alibinë se kërkohet një volum i madh pune, por s’kemi marrë asnjë dokumentacionin e kërkuar. Për të gjitha këtë problematikë unë kam kërkuar që ju t’i ktheni dinjitetin e duhur parlamentit dhe të ndaloni më tej vijimin e këtij bllokimi anti-kushtetuese. Opozita, të vetmen mundësi që ka janë parlamenti, komisionet hetimore, por nëqoftëse këto instrumente bllokohen, sepse dihet historia e komisioneve hetimore dhe e marifeteve tuaja me ndryshimin e objekteve hetimore, atëhere s’mbetet veçse shtyrja në kohë e të gjitha afateve hetimore.

Siç e dini, të gjitha aspektet procedurale dhe ligjore për marrjen në shqyrtim të dokumentacionit janë kaluar. Për ne është e qartë se gjithçka bëhet për të penguar hetimin, thjesht se gjithë kupola e kësaj mazhorance ka qenë e implikuar, nga kryeministri deri tek ministrat e brendshëm, familjarë të ministrave të brendshëm, përfshirë edhe Xhafën, kanë qenë pjesë e të implikuarve në trafikun e drogës, dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të bllokuar hetimin. Në këto kushte, unë kërkoj edhe njëherë shtyrjen e afatit të komisionit dhe ju drejtohem ju zoti kryetar që t’u bëni apel institucioneve që të zbatojnë kushtetutën dhe t’u përgjigjen kërkesave të komisionit tonë hetimor”- ka thene Paloka.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb