KOSOVE-Dialogu me Serbinë do të vazhdoj edhe më tej, ndonëse kjo e fundit herë pas here nuk ka zbatuar marrëveshjet, madje edhe i ka shkelur ato.

Sipas KosovaPress, zhbërja e strukturave paralele në Kosovë ka ndodhur në masë të madhe, edhe pse shqetësuese vazhdon të mbetet prezenca e mbrojtjes civile në veri të vendit, për të cilën edhe pala kosovare ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të ushtrojë trysni më të madhe karshi zyrtarëve të Beogradit.

Ndërsa barrikada mbi urën e Lumit Ibër, apo i ashtuquajtur “Park i Paqes”, pritet të hiqet në këto tre muaj.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri thotë se vetë dialogu me palën serbe është një proces paqësor, që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndonëse ky proces, sipas saj, me të drejtë nuk është përkrahur nga opinioni publik, për faktin se Serbia vazhdon të mos kërkoj falje për krimet e kryera në Kosovës dhe po vonon në njohjen e shtetësisë së Kosovës.

“Megjithatë ky dialog po jep rezultate të rëndësishme edhe në kuptimin e vendosjes së një normaliteti në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe ky normalizim për ne do të thotë që Serbia duhet t’i zhbëjë të gjitha strukturat paralele në Kosovë dhe të ndalë ndërhyrjet. Ankesat tona në Bruksel janë pikërisht në këtë drejtim. Sepse Serbia nuk zbaton efektivisht marrëveshjet e Brukselit dhe vazhdon të ndërhyjë, duke treguar një politikë të standardeve të dyfishta, gjë që nuk është e re për Serbinë”, tha Tahiri.

Sipas saj, ankesat e palës shqiptare për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, kanë të bëjnë me atë që Serbia duhet t’i kthejë shpinën politikave të vjetra dhe të përqafojë politikat evropiane.

Tahiri më tej thotë se, Serbia ndonëse ka shuar disa struktura paralele, në pjesën veriore vazhdojnë ende të funksionojnë disa të tilla. Për këtë çështje, delegacioni kosovar ka kërkuar nga BE që të ushtrojë trysni mbi Beogradin.

Kosova duke qenë konstruktive në bisedimet me palën serbe, sipas Tahirit, ka përfituar edhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbia ndonëse nga janari i vitit 2013 ka nisur bisedimet me BE-në për anëtarësim, ka mbetur e bllokuar pikërisht për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së Brukselit. Kjo tregon edhe për kushtet që Bashkimi Evropian iu ka vënë shteteve.

Tahiri tha se Kosova pritet që brenda këtij viti të përmbyll procesin e Stabilizim-Asociimit. Sipas Tahirit, arritjet e Kosovës nuk janë bërë vetëm falë këtij dialogu, por edhe reformave që ka bërë shteti.

Tahiri foli edhe për heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër, duke thënë se kjo është kompetencë e BE-së, ndërkohë që sipas saj, pritet që brenda këtyre tre muajve të ardhshëm të largohet i ashtuquajturi “Parku i Paqes”.

 

(a.n/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: