Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ftoi prokurorinë të shpallë pretencën me datë 10 shtator.

Në një prononcim për mediat në perfundim të procesit të sotëm, ish ministri tha se çështja po zgjatet përtej cdo limiti.

Edhe shtyrja e sotme është e tepërt, është para gushtit dhe gushti është pushim, mua më duket shumë e tepërt. U shty për shtator kjo histori, por ishin të gjitha kushtet që të behej gjykim i pandërprerë, siç e kërkon Kodi edhe siç duhet me rastin. Ju nuk u lodhët me këtë histori. Po zgjatet përtej limitit të vazhdueshëm”, tha ai.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dy akuza ndaj Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm; trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Për akuzën e parë, trafik droge, Kodi Penal parashikon nga 10 deri në 20 vite burgim. Për akuzën e korrupsionit nga 4 deri në 12 vite burg.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Prokuroria arsyeton edhe për dyshimet e saj të ngritura ndaj Tahirit. Në lidhje me akuzën e parë, Prokuroria ngre dyshimet se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.

Nisur edhe nga hetimet italiane, prokuroria dyshon se përfitime monetare kanë shkuar direkt tek ish-ministri i Brendshëm. Duke sqaruar dyshimet për akuzën e ngritur, Prokuroria ka futur në akuzë edhe përdorimin e automjetit Audi, që ish-ministri i Brendshëm ja kishte shitur Habilajve.

Sipas Prokurorisë, ky automjet i shitur në 2013-n është përdorur më pas edhe nga vetë ministri i Brendshëm, Tahiri. Akuza e ngritur për veprën penale të korrupsionit, bazohet në dyshimin se Tahiri ka përfituar nga të arrestuarit në Itali.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb