TIRANE – Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri siguroi se Shqipëria është përgatitur për çdo lloj emergjence në kufirin jugor, ku janë përforcuar masat e sigurisë për të mos lejuar penetrimin përmes fluksit të refugjatëve, të elementëve që shfaqin rrezik për terrorizëm.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ministri Tahiri tha se “Shqipëria ka kapacitete të limituara qoftë për nga pikëpamja buxhetore, qoftë infrastrukturore dhe solidariteti dhe humanizmi ynë kushtëzohet nga kapacitetet që kemi.”

“Shqipëria do bëjë aq sa ka mundësi për përballimin e krizës. Kemi përforcuar masat e sigurisë në kufirin jugor. Kemi hartuar një plan emergjence për përballimin e orëve të para dhe ditëve të para dhe po punojmë për të pasur një plan më të gjerë. Ne jemi të përgatitur për çdo lloj emergjence në kufirin tonë jugor. Jemi të vendosur të luftojmë çdo rrjet kriminal që synon të shfrytëzojë këtë situatë për përfitime të paligjshme. Shqetësimn i yni dhe i partnerëve ka qenë evitimi sa më shumë të jetë i mundur i rrjeteve që bëjnë trafikimin e qenieve njerëzore.”- deklaroi Tahiri.

Ministi Tahiri theksoi se Shqipëria ka garancinë nga partnerët europianë dhe nga BE se nuk do jemi vetëm.

“Nuk do na duhet të mbajmë mbi shpatulla një barrë që nuk e mbajmë dot. Jemi të thirrur në kauzë për shkak të arsyeve që kanë të bëjnë me gjeografinë, korridori i Ballkanit, por edhe për shkak të përgjegjësive që mbajnë në kuadër të rrugës tone drejt BE-së. Kjo është një nga ato sfida që përballet në mënyrë të përbashkët.”- deklaroi Tahiri.

Ministri Tahiri gjatë seancës dëgjimore deklaroi se po përgatiten për fluksin e refugjatëve, ndërsa nuk përjashtojë mundësinë e rrezikut që mes refugjatëve mund të infiltrohen edhe persona të rrezikshëm.

“Ne po përgatitemi, kemi luksin të mësojmë nga eksperienca e partnerëve tanë për tu përballur siç duhet. Për personat me rrezikshmëri, kemi kërkuar skedimin paraprak të këtyre personave. Kjo është kërkesa kryesore që i kemi bërë partnerëve, që nga elementët e sigurisë, shenjat e gishtit etj. Gjithmonë ka risk, por po bëjmë përpunimin e të dhënave kontrolle që të parandalohet infiltrimi i njerëzve me rrezikshmëri, po bëjmë përpjekje për të minimizuar rreziqet”.

Më tej, Tahiri tha se Shqipëria është e rrezikuar nga terrorizmi, aq sa gjithë vendet e tjera. “Është e vërtetë që jemi të rrezikuar aq sa vendet e tjera nga terroristët. Për sa kohë kemi qenë në gjende të eksportojmë luftëtarë rreziku mund të na vijë mbrapsht, por nuk ka asnjë vend për panik”.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: