TURQI- Ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Izmir ku është takuar me kryeministrin Ahmet Davutoglu si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit turk. Tahiri dhe Davutoglu janë pajtuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Turqisë në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë si dhe është konfirmuar gatishmëria e Turqisë për tu angazhuar në rritjen e njohjeve për Kosovës nga vendet e ndryshme.

Me këtë rast u konfirmua se të dyja shtetet ndajnë vlera të përbashkëta euro-atlantike dhe në këtë kontekst u vlerësuan angazhimet serioze të Kosovës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal.

Ministrja Tahiri e falënderoi kryeministrin Davutoglu për mbështetjen që Turqia po ia jep Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë duke lobuar në shtimin e numrit të njohjeve, po ashtu për përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të dyja vendeve. Ajo tha se “Kosova mbetet e përkushtuar për miqësi të fuqishme mes të dyja vendeve dhe thellimit të marrëdhënieve të mira në të gjitha fushat”.

Nga ana e tij, Kryeministri Ahmet Davutoglu e rikonfirmoi mbështetjen e parezervë të tij dhe shtetit turk për Kosovën, dhe tha se do të vazhdojë që të angazhohet për forcimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, duke paralajmëruar edhe një vizitë të shpejtë në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, Tahiri po ashtu ka vizituar shoqatën e shqiptareve të Kosovës në Izmir me ç‘rast është pritur nga kryetari i shoqatës, Ibrahim Sengoz dhe nga ish-deputeti i Parlamentit turk, Muharrem Toprak, e ku ishin prezent edhe përfaqësuesit e shoqatës së shqiptarëve të Çamërisë të shpërngulur në Turqi.

Ministrja në fjalën e mbajtur pranë të pranishmëve në këtë shoqatë tha se diaspora shqiptare në Turqi është model i ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe zakoneve, ajo tha se shqiptarët e Turqisë po luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë dhe i ftoi ata që të vijnë e të investojnë në Kosovë.

Ndërsa kryetari i shoqatës foli për angazhimet për sjelljen e investitorëve të Izmirit në Kosovës. Sengoz tha se nga kjo shoqatë kanë dalë emra të njohur dhe të respektuar në shtetin e Turqisë mes tyre kryetari i ndjerë i Izmirit, Ahmet Prishtina i cili ishte edhe deputetet i Parlamentit të Turqisë, deputeti aktual i Parlamentit të Turqisë, Rifat Sait dhe ish-deputetët Muharrem Toprak dhe Suha Tanik, të cilët kanë dhënë kontribut për Kosovën si dhe gjithë shqiptarët dhe shoqatat shqiptare në Turqi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb