Janë të gjithë mirë 12 djemtë tajlandezë që u nxorën nga shpella Tham Luang. Në kohën e mbërritjes në spital, ishin të vetëdijshëm dhe në gjendje të flisnin. Kështu kanë pohuar mjekët që po i kurojnë, duke nënvizuar se futbollistët e vegjël kishin humbur nga 2 kg secili. Trajneri i tyre, edhe ai në gjendje të mirë, pas makthit rrezikon të vihet nën akuzë. Trajneri mund të akuzohet që i çoi fëmijët në shpellë.

Ndërkohë të 13 protagonistët e kësaj aventure me fund të bukur, do t’u duhet një javë izolim si masë kundër komplikacioneve të mundshme, kanë deklaruar mjekët e spitalit “Prachanukroh” të Chiang Rai, që i kanë nën trajtim.

Futbollistët e vegjël që u nxorën nga shpella të dielën dhe të hënën e kanë marrë tashmë veten, ndërsa një nga djemtë që u nxor në sipërfaqe të martën, ka simptoma të lehta pneumonie.

Të gjithë djemtë kanë rritje të rruazave të bardha mbi normën dhe kjo tregon infeksione të mundshme. Por të 12 përveç trajnerit duken të qetë dhe nuk kanë simptoma të veçanta stresi, kanë theksuar mjekët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb