Shishe plastike dhe kanaçe bosh shtrihen në shtratin e detit në zonën përreth Phuket në Tajlandën jugore, ndërsa akoma më shumë mbeturina grumbullohen në vetë ishullin, një pikë e nxehtë turistike e famshme për perëndimet spektakolare të diellit dhe plazhet e bukura.
Në njërin skaj të ishullit kamionët dhe traktorët shkojnë e vijnë duke transportuar grumbuj mbeturinash rreth një landfilli, destinacioni përfundimtar për më shumë se 1000 tonë mbeturina të mbledhura çdo ditë në Phuket.
Brenda pak muajsh landfilli është fryrë deri në pikën ku tani ka zëvendësuar pamjen para-ekzistuese të malit nga shtëpia e Vasana Toyu. “Nuk ka jetë jashtë shtëpisë, ne jetojmë vetëm brenda. Era është aq e fortë sa duhet të mbani një maskë, “tha ajo.
Për t’u përballur me erën e keqe, shpjegon Vasana, i lë të ndezura gjatë gjithë kohës kondicionerin dhe jonizuesin e ajrit, duke dyfishuar faturën e energjisë elektrike.
Phuket, ishulli më i madh i Tajlandës, ka përjetuar rritje të shpejtë për shkak të sektorit të tij të turizmit, i cili është një shtytës kryesor i ekonomisë së vendit në tërësi.
Nga 35.5 milionë turistë të huaj që vizituan Tajlandën në vitin 2024, rreth 13 milionë shkuan në ishull.
“Rritja e qytetit Phuket është shumë më e shpejtë se sa duhet,” thotë Supatchoke Laongphet, nënkryetar i bashkisë kryesore të ishullit, duke shpjeguar se si lulëzimi i ndërtimit dhe turizmit e kanë shtyrë vëllimin e plehrave në nivelet e periudhës para Covid.
Deri në fund të vitit, ishulli ndoshta do të prodhojë deri në 1,400 ton mbeturina në ditë, të cilat i vetmi landfill i ishullit nuk do të jetë në gjendje t’i trajtojë, shpjegon ai.
Autoritetet po promovojnë plane për të reduktuar prodhimin e plehrave me 15 për qind brenda gjashtë muajve, për të zgjeruar landfillin dhe për të ndërtuar një furrë të re, thotë nënkryetari i bashkisë, ndërsa ishulli përpiqet të bëhet një destinacion turistik më i qëndrueshëm. Megjithatë, ekspertët theksojnë se rritja e kapacitetit të landfillit dhe inceneratorëve janë vetëm një pjesë e zgjidhjes.
“Nëse vazhdoni të shtoni furra, nuk mendoj se do të ketë një zgjidhje. Ata duhet të fokusohen në reduktimin dhe klasifikimin e mbetjeve,” sugjeron Panate Manomaivibul, asistent profesor i menaxhimit të mbetjeve në Universitetin Burapha.