Kryeministrja e Tajlandës Paetongtarn Shinawatra ka zbuluar një pasuri personale me vlerë pothuajse 400 milionë euro në deklaratën e saj financiare, e publikuar sot.

Kryeministrja, e cila mori detyrën në gusht, duhet të deklarojë në Komisionin Kombëtar Kundër Korrupsionit (NACC) pasuritë e saj, të cilat arrijnë në 13.8 miliardë baht, sipas një dokumenti të publikuar në media.

Investimet e saj të ndryshme arrijnë në 11 miliardë baht (mbi 310 milionë euro), ndërsa ka një miliard baht (mbi 28 milionë euro) në para të gatshme, thuhet në deklaratën e saj.

Pasuritë e tjera të saj përfshijnë, ndër të tjera, 75 ora luksoze me vlerë 162 milionë baht (pothuajse 4.6 milionë euro), 217 çanta firme me vlerë 76 milionë baht (mbi 2 milionë euro), si dhe prona në Londër dhe Japoni.

Paetongtarn Shinawatra deklaroi gjithashtu detyrime prej gati pesë miliardë baht (mbi 141 milionë euro), sipas dokumentit NACC të publikuar nga mediat tajlandeze, duke i dhënë vlerën e saj neto në 8.9 miliardë baht (mbi 251 milionë euro).

Babai i saj, Thaksin Shinawatra, bleu klubin e futbollit Manchester City në vitin 2007 pasi ai kishte shërbyer edhe si kryeministër i Tajlandës dhe aktualisht ka një pasuri prej 2.1 miliardë dollarësh, sipas Forbes. Ai është njeriu i dhjetë më i pasur në vendin e tij.

Thaksin Shinawatra përdori pasurinë e tij, të ndërtuar nga perandoria e tij e telekomunikacionit Shin Corp, për të hyrë në politikë dhe familja e tij ruajti ndikimin e saj edhe gjatë viteve në mërgim që pasuan rrëzimin e tij në një grusht shteti të shtatorit 2006.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb