Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka dalë sot para KLP për të prezantuar punën e saj në kërkim të një mandati tjetër. E pyetur nga anëtarja Nurihan Seiti, Marku zbardhi edhe një pjesë të takimeve me kryeministrin Edi Rama gjatë protestave të opozitës.


Ajo tha se ka bërë disa takime me kryeministrin, pasi ai drejton disa komisione ku është pjesë si drejtuese e një prej institucioneve kryesore kushtetuese por lidhur me takimin që iu referua Seiti, Marku theksoi se nuk ka qenë raportues por për situatën emergjente.


Anëtare e KLP, Nurihan Seiti: E di që ka qenë një periudhë shumë e vështirë për ju që me zgjedhjen tuaj por tani të duhet që të presësh dhe pyetje josugjestionuese por pyetje të vërteta që mund të vijnë nga përvoja juaj si Prokurore e Përgjithshme për 2 vjet sepse është një periudhë kur lë gjurmë. Fjalën të përkohshme unë do ta quaja thjesht vetëm për kohën e greenwich sepse vajti një periudhë goxha e gjatë ku ju patë, studiuat dhe po vini këtu me një platformë.


Në praktikën tuaj keni bërë një takim bashkëpunimi me titullarin e pushtetit ekzekutiv dhe në fakt titullari ka të gjithë të drejtën kushtetuese, ligjore dhe individuale të bashkëpunojë për një nga elementët thelbësorë të shtetit që është e drejta, siguria e qytetarit. Kam parasysh këtu përvojën e Rudi Giulianit si guvernator i shtetit të New Yorkut që punën e tij e fillonte me thirrjen titullarëve të drejtësisë për të luftuar krimin. Pra, takimi juaj me shefin e qeverisë, ishte për të dëgjuar nga ju një politikë të sistemit, të hetimit dhe të akuzës se ju po atë periudhë kohe në një media deklaruat konfliktin e plotë të interesit me trupën e prokurorëve. Në çdo pyetje keni thënë jo kur diskutohej për praninë tuaj si PP në vepra të veçanta që linin gjurmë tek komunitetit. Çfarë i ofruat ju qeverisë?

E dyta, sapo trajtuar një çështje shumë të rëndësishme që është mungesa e ndërhyrjes në apelim, që është një ngërç, meqë trajtuat prokurorin e Apelit dhe që doni të ndërhyni në ligj për të gjetur një mekanizëm për të bërë ankim ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit pyetja ime është: Në këtë periudhë kohe që ju keni qenë Prokurore e Përgjithshme në një nga prokuroritë pranë gjykatës së Shkallës së Parë në RSH, prokurori i çështjes nuk ka bërë ankim në Apel ndaj një çështje ku shteti shqiptar dëmtohej me 25 mln dollarë, pra pas 2 vjet hetim gjykata vendosi që të mos e kalojë çështjen në gjyq dhe nuk u bë apelim, të vetmit kanë qenë mediat që e kanë bërë të ditur. Çfarë mendoni për procedurën në këtë rast që duhet të ndiqte prokurori ose ju si Prokuror i Përgjithshëm. Dhe e treta, çfarë kuptoni me Prokurori përfaqëson akuzën e shtetit shqiptar?

Arta Marku: Juve ju referuat një takimi me kreun e pushtetit ekzekutiv, pra me kryeministrin. Në fakt më duhet t’ju them që nuk kam bërë vetëm një takim, janë disa, kryeministri drejton disa komisione ku unë jam pjesë si drejtuese e një prej institucioneve kryesore kushtetuese. Ka një komision, një grup pune që merret me mënyrën se si do përfaqësohet Shqipëria në komitetin manival, aty jam anëtare dhe kryeministri është kryetar i këtij komisioni.

Është edhe komiteti për koordinimin e punës në luftën kundër pastrimit të parave, kështu që nuk ka pasur vetëm një takim por disa. Me sa kuptova ju i referoheni një takimi të fundit që është bërë në kohën kur opozita pati disa protesta dhe pati shumë probleme dhe disa protesta degjeneruan në dhunë dhe kjo ka qenë arsyeja e këtij takimi që është bërë jo vetëm me mua personalisht por edhe me drejtorin e SHISH, me ministrin e Brendshëm.

Pra, me drejtuesit kryesorë të institucioneve që ishin aktorë që trajtonin çështjet që lindin nga dhuna e ushtruar në këto protesta. Nuk ka qenë një takim raportues, pasi nuk ka një marrëdhënie të tillë mes ekzekutivit dhe Prokurorisë apo kreut të ekzekutivit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Ka qenë një takim pune për shkak të situatës emergjente që po kalonte vendi. Ne të gjithë e kemi parë, e kemi ndjekur nga afër.

Sa i përket pyetjes së dytë, mungesa e apelimit nga një prokuror që ka pasur një çështje në shkallë të parë…Unë kam ardhur në dijeni vetëm nga mediat në lidhje me këtë rast ashtu siç njihem me shumë raste të tjera vetëm nëpërmjet medias që bën një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, pra për të përcjellë problematika. Nuk kam ardhur në dijeni nga drejtuesi i prokurorisë apo prokurori i çështjes kështu që nuk kam pasur mundësi të bëj asnjë lloj reagimi në lidhje me këtë.
Natyrisht është një nga mangësitë, mungesa e së drejtës që ka qoftë drejtuesi i prokurorisë, pra çdo prokuror më i lartë nuk ka kompetencë që të ketë të drejtën të bëjë një rekurs, pra të krijojë mundësinë që disa pasoja negative të mund të riparohen në një gjykatë më të lartë. Kështu që e para nuk kam qenë e informuar për rastin por edhe nëse do kisha qenë e informuar nuk kam pasur mundësi të bëj asgjë në lidhje me ankimin që mund t’i bëhej. Është në vlerësimin e prokurorit të çështjes të bëjë apo mos bëjë ankim për një çështje që e ka përfaqësuar vetë.

Për pyetjen e tretë, çfarë kuptoni me prokurori përfaqëson akuzën në emër të shtetit shqiptar është një definicion që në kushtetutë, pra akuzën në emër të shtetit e bën, nuk është një akuzë personale, ka një atribut dhe vepron në emër të shtetit. Kështu që në emër të tij përfaqëson akuzën dhe vepron në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: