NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” brenda PS-së, Koço Kokëdhima, u takua dje me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Pas takimit që zgjati rreth 90 minuta, Kokëdhima deklaroi se mes tyre u bisedua rreth situatës politike në vend. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, kreu socialdemokrat, Gjinushi tha se me ish-deputetin e PS-së kishte ndarë mendime rreth fushatës së zgjedhjeve, por edhe “rifitores së të majtës”.

“Gjithmonë në prag fushatash rriten konsultimet, ka shkëmbime mendimesh. Në këto takime flasim për të majtën, për zgjedhjet, për mënyrat e bashkëpunimit”, u shpreh Gjinushi për “Gazeta Shqiptare”. Ai e cilësoi takimin me ish-deputetin Kokëdhima “një kafe miqësore, politike”.

Takimi i z.Kokëdhima me z.Gjinushi u bë një ditë pas takimit me kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ku u shkëmbyen pikëpamjet për zhvillimet e ditëve të fundit. PSD-ja, prej vitit 1994 ishte pjesë e koalicioneve të majta në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare dhe vendore, ndërsa z.Gjinushi ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në periudhën 1997-2001.

Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, PSD ishte pjesë e koalicionit me 38 parti që u bashkuan me PS-në në Aleancën për Shqipërinë Europiane (ASHE), por nuk u përfshi në qeverisjen qendrore dhe në nivel lokal, çka solli edhe daljen më vete të socialdemokratëve në zgjedhjet vendore të qershorit 2015.

PSD mori vetëm dy poste zëvendësministrash. Pati disa herë biseda me kryeministrin Rama, por përfaqësimi i saj ka qenë vetëm në nivele të dyta dhe në pushtetin vendor.

Bashkëbiseduesit nuk folën për një strategji të përbashkët, që mund të ndjekin në këto zgjedhje parlamentare, nëse do të ketë një afrim të tyre. Në takimet e ditëve të fundit që ish-deputeti Koço Kokëdhima ka pasur me socialistë të Elbasanit, ai ka shpalosur nismën: “Unë zgjedh deputetin që dua!”, duke e cilësuar si një “grusht për partitokracinë”. Edhe në Elbasan, gjatë bashkëbisedimit me socialistët, qindra qytetarë nënshkruan nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua!”, njoftoi Kokëdhima.

“Kjo nismë – tha Kokëdhima – është një përpjekje e organizuar e popullit shqiptar për të demokratizuar partitë politike, rrjedhimisht sistemin politik dhe qeverisjen, për t’i krijuar popullit tonë mundësinë që të marrë në duar fatet e veta. Me këtë projektligj, në partitë politike vendosen standardet, kapacitetet dhe institucionet si në të gjitha partitë politike të vendeve të civilizuara perëndimore. Do ua heqim pushtetin abuziv kryetarëve dhe do t’ua kthejmë qytetarëve. Baza e partisë dhe qytetarët do të zgjedhin deputetët, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët”, ka thënë Kokëdhima.

Në Asamblenë e fundit Kombëtare të PS-së, Kokëdhima u përjashtua nga funksionet në parti, duke mbetur anëtar i thjeshtë i saj. Por, ai ka deklaruar se do të shkojë në mbledhjen e radhës së asamblesë, pasi nuk mund të përjashtohet, se ai është i zgjedhur nga Kongresi i partisë. Kokëdhima do të vijojë diskutimet e tij me socialistët. Pritet që më 1 mars ai të jetë në qytetin e Durrësit për të vijuar edhe firmosjen e nismës së tij “Unë zgjedh deputetin që dua”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb