*Presidenti pret në takim Delegacionin e Parlamentit Evropian
*Komiteti nis punën, theksohet si prioritet lufta kundër korrupsionit
*Meta-eurodeputetëve: Mirëpresim angazhimin konstruktiv të opozitës në Parlament
*Mediu e Bumçi përplasen me Kryetaren: Ky është takim i paprecedent!
*Macovei: Respektoni axhendën, bëni pyetjet

TIRANE – Komiteti i Stabilizim-Asociimit ndërmjet eurodeputetëve dhe Shqipërisë, që ka nisur sot në Kryesinë e Kuvendit, është ndërprerë një orë e gjysëm pasi ka nisur, nga debate të ashpra të deputetëve shqiptarë të opozitës me kryetaren e këtij Komiteti, znj.Monica Macovei.

Deputetët Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi, pasi kanë dëgjuar raportimet e secilit ministër para eurodeputetëve, kanë kërkuar me ngulm të marrin fjalën për të thënë edhe ata qëndrimin e tyre. Ka qënë deputeti Mediu që ka deklaruar në hapje të seancës së pyetjeve “se nuk kemi ardhur këtu të dëgjojmë sukseset e qeverisë, që i kemi dëgjuar me mijëra herë, por ato që nuk janë bërë.” Ai është mbështetur edhe nga deputeti Bumçi, që ka ngritur edhe tonin e zerit.

Por, znj.Macovei i kundërshtoi dy deputetët duke u thënë se kështu veprohet kudo: “Në fillim dëgjohen raportimet dhe pastaj bëhen pyetje, ka një axhendë të përcaktuar qartë.”

Por Bumçi e ka kundërshtuar znj.Macovei duke thënë se “nuk kemi pyetje, por duam të themi mendimin tonë, pikëpamjet tona.”

DEBATI BUMÇI – MACOVEI

BUMÇI: Deputetët e shumicës, që pyesin qeverinë! Është ky debati ndërparlamentar? Ky nuk është debati ndërparlamentar i 10 viteve të fundit. në 10 vjet nuk ka ndodhur ndonjëhërë kjo që po ndodh sot. U treguam të mirëkuptueshëm dhe lejuam një seancë, që nuk ka ndodhur në 10 vjet, por nuk ka më kuptim që shumica të pyesë Qeverinë e saj. O do të kthehemi në seriozitet ose kjo nuk ka më kuptim kështu.

MACOVEI: Kemi ardhur si miq të mbështesim Shqipërinë për integrimin. nëse keni kritika, bëjini. Ju lutem, pyesni çfarë doni. Ministrat janë këtu, po u japim fjalën të gjithëve. Ju lutem, është momenti i pyetjeve. Çdokush do të ketë një minutë kohë për të folur. Duam që çdokush të ketë mundësinë për të folur.

Kryetarja e Komitetit të Stabilizim –Asociimit ka debatuar me qetësi, por me këmbëngulje, që të respektohet praktika dhe axhenda e përcaktuar qartë, duke insistuar: “Ju lutem, bëni pyetjet, mos ta humbasim kohën, ta shfrytëzojmë këtë që kemi në dorë. S’ka nevojë për debat, të bëjmë pyetjet.”

Tensionin e ka ulur deri diku, deputeti socialist Shalsi, i cili tha se “nuk kemi nevojë të bëjmë këtu ato skena që gjithë bota i ka parë.” Dhe pas kësaj, ai shtroi një pyetje.

Por, ish-Ministri i jashtëm Bumçi sërish protestoi: “Ky takim është i paprecedent, sepse opozita duhet të ketë kohën e saj,” të cilin Macovei sërish e refuzoi: “Isha e qartë, duhet t’ju them se këtu u jepet kohë të gjithëve për të folur.”

Ndërsa deputetja Majlinda Bregu tha: “S’e kuptoj pse ju socialistët nuk i bëni pyetjet me njeri–tjetrin kur jeni brenda grupit parlamentar! Gjithsesi, po tregoj se çfarë ka ndodhur me administratën publike gjatë këtij një viti e gjysëm.” Bregu më pas bëri një panoramë të pushimeve nga puna në administratë, sipas këndvështrimit të opozitës, që në disa raste kanë çuar edhe në vetëvrasje.

Takimi i Komitetit sot nisni me fjalën e znj. Monica Macovei, e cila vlerësoi në fjalën e saj luftën kundër korrupsionit. “Duhet të kemi vizion luftën kundër korrupsionit, – tha ajo, – pasi në të kundërt njerëzit nuk besojnë më tek institucionet, tek drejtësia. Dhe kjo do të ndikojë në sektorë të tjerë, si në tregti, ekonomi, buxhet.”

VLAHUTIN PARALAJMERON: SHQIPERINE DO TA DEMTOJE ME TEPER MUNGESA E DIALOGUT POLITIK

Ndërsa Ambasadorja e BE-së, znj.Romana Vlahutin, nënvizoi se në Shqipëri mungon dialogu politik. “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë, – tha ajo. – Pritshmëritë e shqiptarëve janë më të larta pas marrjes së statusit kandidat. Raport-Progresi i fundit ishte shumë i qartë. Shqipëria është një partner i besueshëm për ne. Shqipëria është e vendosur për bashkëpunimin ndërkombëtar, por ka një sfidë shumë serioze për të ardhmen e Shqipërisë: Mungon dialogu politik. Duket se ajo që do të dëmtojë më tepër Shqipërinë është mungesa e dialogut politik. Shqipëria duhet të tregojë një proces serioz në zgjedhjet e ardhshme. Duhet një bashkëpunim konstruktiv mes partive politike. Ndryshimet janë ende të rëndësishme në Shqipëri. Shqipëria ka bërë një progres mjaft të rëndësishëm, por duhet akoma dhe më tepër punë.

Më pas, ministrat raportuan për prioritetet që duhej të kishin përmbushur, ç’ka ngjalli kundërshtimin e dy deputetëve opozitarë, Mediu e Bumçi.

Fjalën e mori ministri Bushati i cili tha se “takimi BE-Shqipëri më 24 mars duhet të na çojë drejt hapjes së negociatave.”

TAHIRI: 19 MILIONE EURO, ASETE KRIMINALE TE KONFISKUARA

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bëri të ditur në fjalën e tij se çfarë ndryshimesh janë sjellë në Policinë e Shtetit: “Përgjatë vitit 2014 qeveria mori nismën për shtimin e numrit të punonjësve së Policisë; kemi mbyllur reformën më të plotë ligjore në fushën e sigurisë me mbi 11 ligje të miratuara. Në kuadër të kësaj pakete ligjore është parashikuar dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që sot është thuajse gati të fillojë. Është ngritur gjithashtu Drejtoria Anti-terror që sot është operative me thuajse 100 oficerë policie.

Lufta kundër korrupsionit, besojmë ne, fillon me luftën kundër korrupsionit dhe kundër abuzimit me detyrën brenda Policisë së Shtetit dhe është në këtë kuadër që 1219 punonjës policie janë ndëshkuar nëpërmjet procedimeve penale dhe procedimeve disiplinore. Ndërkohë që janë 1116 autorë të proceduar penalisht, ndërmjet tyre edhe zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar, të proceduar penalisht për veprën penale të korrupsionit. Kjo është rreth 56% më shumë sesa e njëjta periudhë e 1 viti më parë.

Sa i takon drogës, është hera e parë që Republika e Shqipërisë nuk është më vend origjine për trafikun e lëndëve narkotike. Sasia e drogës e shkatërruar në vitin 2014 është më shumë sesa sasia e drogës e shkatërruar dhe e sekuestruar gjatë 9 viteve të fundit të mbledhura bashkë.

Janë 89 operacione policore, janë shkatërruar 57 grupe kriminale që merreshin me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, mbi 220 persona të arrestuar që merreshin me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Sa i takon sekuestrimit të aseteve kriminale janë verifikuar mbi 5240 subjekte dhe familjarët e tyre dhe asetet e sekuestruara dhe konfiskuara kapin shifrën e 19 milion eurove. Kjo është 18 milion euro më shumë sesa 1 vit më parë, dhe kjo është gjithsej 21% e gjithë buxhetit të Policisë së Shtetit.”

NAÇO: KEMI GATI SISTEMIN E VLERESIMIT TE GJYQTAREVE

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, foli në veçanti për reformën në drejtësi, në Gjykatën Kushtetuese, ku 10 mijë çështje janë në pritje. Ndërsa për KLD-në ai tha se ka mungesë të theksuar efiçense, ndaj ka nevojë për reformim të thellë. Po ashtu, edhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me ngritjet në detyrë të prokurorëve. Një pikë më vete është Shkolla e Magjistraturës. Ministria e Drejtësisë ka vazhduar të bashkëpunojë me të gjithë institucionet e tjera dhe komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, i ka dërguar një raport të plotë. Shumë shpejt, Ministria e Drejtësisë, do të sjellë për miratim sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve, që ndryshe nga e kaluara, do të jetë i mbështetur në ligj.

META TAKON EURODEPUTETET: MIREPRESIM ANGAZHIMIN ME KONSTRUKTIV TE OPOZITES NE PARLAMENT

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot eurodeputetët, anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri të kryesuar prej znj. Monica Macovei.

Znj. Macovei u shpreh se Parlamenti Evropian mbështet reformat e nevojshme në Shqipëri dhe mirëpret zbatimin e tyre në terren, duke vënë në dukje se lufta ndaj korrupsionit mbetet një prej prioriteteve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian për avancimin e Shqipërisë.

Z. Meta vuri në dukje se me miratimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, përgjegjësitë e Shqipërisë janë ngritur në një nivel tjetër më të lartë dhe se prioriteti i Kuvendit do të mbetet garantimi i gjithëpërfshirjes dhe inkurajimi i bashkëpunimit politik.

Në këtë drejtim, z. Meta theksoi se “mirëpresim një angazhim edhe më konstruktiv të opozitës në jetën parlamentare të vendit dhe fillimin sa më shpejt të aktivitetit të Këshillit Kombëtar të Integrimit, drejtimi i të cilit i është besuar opozitës.”

PRESIDENTI PRET DELEGACIOCIONIN E PE: REFORMA NE DREJTESI, JO NE DREJTIMIN E DUHUR

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim Delegacionin e Parlamentit Evropian, anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe përsëriti mirënjohjen për angazhimin e palodhur të Bashkimit Evropian, përfshirë Parlamentin Evropian, për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Duke siguruar se procesi i integrimit të vendit konsiderohet si një proces që u përket në radhë të parë institucioneve dhe shoqërisë shqiptare, Kreu i Shtetit theksoi se ruajtja e fokusit dhe ndihmës së BE-së është kyçe për ecurinë e mëtejshme të procesit.

presidenti-nishani-delegacioni-sapc

Në përgjigje të interesit të eurodeputetëve lidhur me situatën e përshkallëzuar politike në vend, Presidenti vuri në dukje se progresi i reformave është ngushtësisht i lidhur me klimën politike dhe shoqërore. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës u shpreh se do të qëndrojë fort në mbështetje të parimeve dhe standardeve evropiane për dekriminalizimin e politikës, administratës shtetërore dhe të gjitha niveleve të vendimmarrjes së jetës publike, për luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për avancimin e reformës në sistemin e drejtësisë, e cila ende nuk po njeh zhvillim me ritmet e duhura.

Duke iu referuar marrëveshjes politike të arritur mes forcave politike parlamentare me ndërmjetësimin e eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein, Presidenti Nishani siguroi anëtarët e delegacionit ndërparlamentar se do të vazhdojë të përdorë të gjithë autoritetin që buron nga Kushtetuta për të kërkuar zbatimin rigoroz dhe të paekuivok të Rezolutës së miratuar me konsensus në Parlamentin shqiptar.

Kryetarja e Delegacionit të eurodeputetëve vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka pritshmëri shumë të larta për Shqipërinë, veçanërisht pas marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, duke theksuar se në radhë të parë mbetet përgjegjësi e autoriteteve shqiptare për të përmbushur 5 prioritetet si dhe për të zbatuar marrëveshjen që kanë arritur bashkarisht, e për të cilën është investuar dhe Parlamenti Evropian. Ajo informoi se dy delegacionet parlamentare do të diskutojnë këto ditë rreth zhvillimeve në vend, dhe se në fund do të dalin me një deklaratë dhe rekomandime të përbashkëta që do t’i përcillen institucioneve respektive.

(ar.sh/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb