TIRANE- Kryeministri Rama ka thirrur sot në takim 61 kryebashkiakët e rinj të zgjedhur më 21 qershor, por në të do të mundojnë të zgjedhurit e opozitës. Takimi do të zhvillohet në kryeministri në orën 12:00. Voltana Ademi, kandidatja e djathtë e zgjedhur fituese për bashkinë e Shkodrës, i ka drejtuar një letër kryeministrit Rama për të shpjeguar arsyet se pse nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Ademi thotë se ftesa për takimin me kryeministrin Rama nuk është bërë në mënyrë protokollare, por me telefon. Sipas të zgjedhurës për Bashkinë e Shkodrës, “komunikimi mes kryeministrit dhe të zgjedhurve vendorë duhet të bëhet sipas rregullave protokollare”.

Në letrën drejtuar kryeministrit, Ademi shpreh dëshirën për të vendosur një marrëdhënie pozitive me kryeministrin, por kërkon që kërkesa të tilla për takime të bëhet në mënyrë zyrtare.
Më tej, në letrën e saj Voltana Ademi shtron disa nga problematika me të cilat përballet aktualisht niveli vendor.

LETRA E TE ZGJEDHURES PER BASHKINE E SHKODRES, VOLTANA ADEMI
I nderuar Z. Frashëri, Në respekt të qytetarëve të Shkodrës të cilëve do t’u shërbej për vitet e ardhshme, jam e gatshme të marr pjesë me përgjegjësi dhe seriozitet në të gjitha takimet që në fokus të tyre kanë interesat e qytetarëve që më votëbesuan më 21 Qershor. Ndërkohë sjell në vëmendjen tuaj që KQZ akoma nuk ka shpallur zyrtarisht rezultatet e votimit për zgjedhjet vendore 2015. Unë kërkoj të ndërtojmë dhe mbajmë një marrëdhënie korrekte dhe zyrtare me institucionin e Kryeministrit.

Për këtë arsye, në bazë të të gjitha rregullave protokollare, të komunikimit formal zyrtar, kërkoj nga ana juaj që ftesat të jenë të protokolluara dhe të detajuara përsa i përket axhendës së takimit dhe çështjeve për diskutim. Çdo formë tjetër kërkese, e pa protokolluar dhe pa një axhendë të specifikuar qartë do të shkaktonte keqkuptime të pa nevojshme e të dëmshme për një raport korrekt ndër – institucional.

Disa nga problemet madhore me të cilat aktualisht dhe menjeherë përballemi në nivel vendor, lidhen me mungesën e një kuadri të qartë e të plotë normativ e procedurial për kalimin nga një sistem menaxhimi me disa njësi vendore në një Bashki. Përkundër kërkesës së vonuar nga ana juaj për shkëmbimin e pikpamjeve, në kushtet aktuale, ajo çfarë është bërë emergjente, është nevoja për përcaktimin dhe drejtimin e procesit të kalimit të administrimit vendor, që duhet të kryhet me përgjegjësi nga ana e Qeverisë.

Disa nga pyetjet dhe problemet që duhet të marrin përgjigje të shpejtë janë:

1. Cilat janë aktet normative, procedurat dhe rregulloret që do të duhej të ishin tashmë të gatshme për zbatim, bazë për fillimin e punës në administrimin vendor, pas ndarjes territoriale?

2. Cilat janë financat dhe mënyra e ndarjes së tyre sipas bashkive të reja në periudhën në vazhdim?

3. Si do të realizohet plotësimi i nevojës së qytetarëve për shërbime publike në vazhdim dhe pa ndërprerje, nderkohë që sot të gjitha ish-njësitë vendore nuk kanë në dispozicion fonde dhe në bazë të urdhëresave nuk mund të ofrojnë apo kryejnë asnjë shërbim, qoftë edhe administrativ për shkak të bllokimit dhe heqjes së fondeve për përdorim?

4. Si do të shpërndahet fondi prej 20 milion dollarë investime në 61 bashkitë e reja për periudhën në vazhdim?

5. Cila do të jetë marëdhënia me agjensitë e dekoncentruara, me institucionin e Qarkut dhe Institucionin e Prefektit? 6. etj, etj.. Shpresoj që takimi të përmbajë një axhendë të qartë për diskutim. Me mirëkuptimin tuaj mbetem në pritje. Faleminderit Voltana ADEMI

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb