Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë sërish vëmendjen e mediave greke.

Protothema.gr shkruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk mund të lejojë formimin e Unionit të Komunave Serbe (ZSO) pa njohjen paraprake de facto nga pala serbe.

Artikulli i plotë:

“Në takimin në Bruksel (më 14 shtator) e thashë qartë se nuk mund t’u ofroj kafe pa filxhan . Njohja e parë de facto, sepse korniza ligjore për themelimin e Unionit të Komunave është Kushtetuta e Kosovës dhe jo Kushtetuta e Serbisë”, tha Albin Kurti në një konferencë për mediat, ka cituar Protothema.gr.

Kryeministri kosovar tha se Beogradi është kryesisht i interesuar për kompetencat ekzekutive të Unionit të Komunave Serbe, duke theksuar se qeveria e tij nuk do t’i japë një pushtet të tillë një institucioni të vetëqeverisjes lokale.

Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për qëndrimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së,  Miroslav Lajçak, duke theksuar se për shumë çështje gjatë negociatave koordinohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Raundi i tjetër i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës i mbajtur më 14 shtator, në nivelin më të lartë politik, në Bruksel përfundoi me dështim.

Të dyja palët nuk arritën të bien dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë të propozuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme Josep Borel dhe Lajçak. Propozimi parashihte fillimin nga Prishtina të procesit për themelimin e Unionit të Komunave Serbe, ndërsa në të njëjtën kohë Beogradi do të fillonte t’i përmbushte detyrimet e veta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb