TIRANË- Delegacioni nga Kosova, i kryesuar nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli është pritur edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Takimi vjen në kohën kur debati për kufijtë i iniciuar nga deklaratat e Presidentit të Kosovës vijon të jetë i ndezur.

E sigurisht si një faktor në hapësirën mbarë-shqiptare nuk ka munguar as mesazhi i Kreut të Shtetit për politikën kosovare.

“Kosova ka nevojë imediate për konsensus politik të brendshëm dhe gjithëpërfshirje në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.
Situata kërkon që shumica qeverisëse të krijoj një klimë më gjithëpërfshirëse në raport me opozitën. Edhe opozita në Kosovë duhet të marrë përgjegjësitë e veta ne këtë moment historik”, theksoi ai.

Presidenti Meta tha se në këtë proces të rëndësishëm kërkohet bashkëpunim shumë më i ngushtë me partneret tanë strategjike të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen europiane të rajonit.
Në delegacionin kosovar bënin pjesë edhe zv/Kryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb