Gazetari Kujtim Vani, nga Britania e Madhe, ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Londër dhe zhvillimet që shoqëruan këtë ngjarje. Në një lidhje direkte për News24, Vani raportoi për një protestë të organizuar para vendit të takimit, ku rreth 30 persona kërkonin largimin e Ramës nga qeveria dhe e fajësuan për largimin e emigrantëve shqiptarë. Gjatë fjalimit të Ramës, pati edhe një incident brenda sallës, ku pesë protestues u ngritën dhe thirrën “Rama ik”, por u nxorën menjëherë nga forcat e sigurisë.
Vani theksoi rëndësinë që ka Britania për shqiptarët, duke përmendur se rreth 100 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë aty, dhe mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, Rama premtoi se ata që do të kthehen në Shqipëri për të investuar në zonat malore, do të kenë mundësinë për të mos paguar taksa për 10 vite. Ai gjithashtu premtuan një ligj të ri që do të mundësojë kthimin e fëmijëve të prindërve të deklaruar si kosovarë në identitetin shqiptar, duke iu mundësuar atyre dokumente shqiptare.
“Në portën kryesore kishte rreth 30 veta që protestonin kundër kryeministrit duke i kërkuar të largohet nga qeveria dhe duke e fajësuar për largimin e emigrantëve. Pati edhe një incident brenda ku 5 veta kishin hyrë brenda dhe kur Rama nisi fjalimin ata u ngritën me thirrjet “Rama ik” dhe u nxorën jashtë sallës nga forcat e sigurisë. Britania ka një rëndësi të madhe në arenën ndërkombëtare dhe janë rreth 100 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shoqërinë britanike, të cilët mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Rama u premtoi emigrantëve se ata që do të kthehen në Shqipëri për të investuar do të kenë një mundësi për të mos paguar taksa në zonat malore për 10 vite në çdo investim në këto zona. Rama dha edhe një mesazh për emigrantët që janë deklaruar para 20 vitesh si kosovarë në kohën e luftës. Ai premtoi se po negocion që ata të kthehen në identitet me të dhënat e tyre origjinale. Gjithashtu tha se qeveria do të hartojë një ligj që qeveria shqiptare do të hartojë një ligj që fëmijët që kanë lindur me prindër kosovarë sipas dokumenteve do të fitojnë dokumentet shqiptare”, u shpreh ai
(BalkanWeb)