TIRANË

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në “Twitter” ka dhënë detaje për takimin e pasdites me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan Matthew Palmer i cili ka mbërritur sot në Shqipëri dhe shihet si mundësia më e mirë për zgjidhjen e krizës politike.

Rama shprehet se me Palmer ka folur për disa çështje me rëndësi për Shqipërinë si marrëdhëniet SHBA – Shqipëri, integrimin europian të Shqipërisë por edhe dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa ka përmendur në fund  situatën politike në vend.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer”, shkruan Rama.

Takimi mes zyrtarit të lartë amerikan, Zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe kryeministrit Edi Rama ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë. Palmer ka qenë Kryeministrinë i shoqëruar nga e ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane Leyla Moses Ones.

Vizita e zyrtarit amerikan i shërben zgjidhjes së krizës politike, pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve. Por përveç kryeministrit Edi Rama, Palmer do të ketë takime edhe me liderë të tjerë ë vend.

Palmer vjen në Shqipëri në një kohë kur opozita e bashkuar ka djegur mandatet ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta të vazhdueshme në vend, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb