Krim e ka konsideruar kreu demokrat Sali Berisha mosrritjen e pensioneve për pensionistët shqiptarë. Gjatë takimit të zhvilluar në Elbasan, Berisha tha se Mali i Zi nuk ka asgjë më shumë se Shqipëria që atje pensionet të jenë 3 herë më të larta se në vendin tonë.

“Edi Rama, duke njohur krimin që ka bërë ndaj pensionistëve, ndërmori vallën e pashpirtësisë, ndërmori një seri takimesh një muaj e gjysëm se si t’i mashtronte këta njerëz.

Se si e si fajin e kanë biznesmenët.

Po pse e paskan biznesmenët fajin, kur kryeministri ka mbledhur prej tyre 8.2 miliardë euro.

8.2 miliardë euro të dashur miq janë dy buxhete të vitit 2008.

Ç’faj paskan biznesmenët këtu? Për të bërë atë që pensionistët të shohin me urrejtje biznesmenët dhe të besojnë se këta janë fajtorë dhe jo qeveria. Cinike!

Fajin e ka ajo që trashëguam dhe ajo që trashëguam është kjo. E di çdo pensionist, gjetëm pensionin minimal 36 euro, e rritëm në 82 euro. Gjetëm pensionin mesatar 70 euro, e rritëm në 105 euro.

Sot, pensioni mesatar, sepse euro ishte 140 lekë, nuk ishte narko-euro, në atë kohë narko-eurot nuk bënin ligjin në ekonomi, pra në 12 vjet, sot çdo pensionist merr 30 përqind më pak po të kemi parasysh edhe kursin e këmbimit.

E vërteta është se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur, dhe janë krahasuar me çmimet në vendet e BE, nga 10 në 250 përqind më të larta.

Pse nuk rriten pensionet? Po është krim të mos rriten pensionet.

Sa i ka pensionet sot Mali i Zi? 310 përqind më shumë se ne. Po çfarë ka Mali i Zi? Ka breg, që ne kemi 10 herë më shumë, ka male që ne jkemi shumë më tepër, ne kemi fusha, ata nuk kanë fusha, kemi të gjitha llojet e mineraleve.

Çfarë ka Mali i Zi që një pensionist të marrë sa 3 pensionistë tanë. 270 përqind më shumë merr pensionisti serb. Të gjithë në vitin 2013 merrnin më pak se ju.  280 përqind më shumë merr pensionisti në Maqedoni.  Albin Kurti u tha pensionistëve para 1 muaji, do ua rris 20 përqind. Mori 100 milionë euro dhe i çoi në fondin e pensioneve.  Po ne me 8 miliardë buxhetin, për 780 mijë pensionistëve, po çfarë pëson shteti nëse merr 800 milionë dhe i çon në fondin e pensioneve? Si i sheh këta njerëz ai? Çfarë i konsideron ai këta? Njerëz që flasin me vete se nuk mbyllin dot muajin”, tha Berisha.

Kreu demokrat në vijim të bashkëbisedimit u shpreh “çfarë pëson Shqipëria nëse vendos qeveria të kalojë 800 milionë fondin e pensioneve?”

“Ua them ju pse nuk bëhet kjo, sepse për ju, për pensionistët kanë lënë 16 milionë euro, kanë parashikuar për vitin tjetër 17 milionë euro.

Ku shkojnë këto? Këto vidhen në mënyrën më të pamëshirë.

Si vidhen? Vidhen në ndërtim rrugësh me çmime 10 herë më të larta se Kroacia, që është standard i BE.

E kam thënë dhe do ua them 100 herë, lexoni në Google, merrni rrugën në Kroaci, Bjelosik-Manastir, 17 kilometra rrugë, 27 metra e gjerë rruga, standard evropian, është ndërtuar me 27 milionë euro. i bie 1.6 milionë euro për km.

Sa i bie për një km Edi Ramës dhe Belinda Ballukut? i bie nga 15 në 32 milionë euro në fushë.

Këta janë të çmendur, këta nuk kanë kufi në vjedhje. Prandaj buxheti shkon 80 përqind investime kapitale dhe vjedhje kapitale”, tha Berisha.

Në vijim, Berisha theksoi “bëhet tenderi, shembulli, tuneli i Llogarasë, ofrohet kompani me 130 milionë euro, jo, thotë, nuk fiton. Përsëritet tenderi, fiton kompania me 180 milionë euro, e ndërton po kjo kompani që pruri 130 milionë euro. U them unë që në mënyrë absolute çdo tender në këtë mënyrë e bëjnë. Sill kaq ofertën ti dhe pastaj e ndajmë bashkë. Pastaj ku mbetet për pensionistët? Bëhet qameti po të shtojmë fondin tek pensionistët. Ky është cinizëm ekstrem”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb