TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga mbledhja me drejtuesit e policive vendore se akuzat dhe balta e hedhur ndaj uniformave nuk duket të pengojë punën dhe qëllimin e tyre.


Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe tek vrasja në Bllok, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit duhet të godasë të gjithë të fortët dhe kundërvajtësit: “Kam kërkuar sot, që të flasë me ju dhe përmes jush me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Po kalojmë një moment kur mbi publikun, e për fat të keq edhe mbi Policinë e Shtetit është marrë një fushatë shpifjesh të rrezikshme”, tha fillimisht Rama


Rama theksoi se shpifjet dhe dallditë e këtij lloji nuk duhet të pengojnë apo të ulim ritmin dhe punën e uniformave, por përkundrazi kjo të shërbejë si motivim shtesë.


“Bota i njeh si Fake News që po përhapen me shpejtësi. Lajmi i rremë, shpifja ka qenë tek ne në faqet e gazetave dhe në mediat tradicionale.  Kam ardhur këtu, sepse dalldia e shpifjes nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punë tuaj. Fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat e tuaja, nuk duhet t’u shpërqendroje nga misioni dhe qëllimi i këtij trupi. Që nga të fortët e llojit, që sollën përgjakjen e bllokut në Tiranë, e deri tek ata kundra-vajtësit që shkelin rregullat”, shtoi Rama.

Kryeministri i vendit Edi Rama lëshoi një ultimatum të fortë për të gjithë ata drejtues policish të cilët nuk do të luftojnë  krimin në vend. Sipas Ramës, të gjitha ata që nuk kanë guxim të përballëm me raste të tilla, duhet të hapin krahun një orë e më parë.

Shefi i qeverisë tha mes tjerash se qytetet e Shqipërisë duhet të çlirohen nga ideja dhe nga perceptimin se ligjin e bëjnë të fortët.  Ai tha se qeveria e tij do jetë aktive për të garantuar  jetën e qytetarëve, përmes zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të atyre që dalin nga këto korniza.

“Ata që nuk janë në gjendja ta përcjellin këtë mesazh, duhet ta hapin krahun vetë.  Përballja me krimin duhet të forcohet. Qytetet tona duhet të çlirohen, jo nga perceptimi, por nga ideja se dikush mund  të bëjë ligjin një gjirin tonë”, theksoi Rama.

(n.m/BalkanWeb)