*Ruçi: Të gjithë të qeshur e të lumtur
*Rama, Meta, Ruçi e Xhafa takim në rezidencë qeveritare
*Në takim, edhe Tahiri, Vasili dhe Naço

TIRANË- Kryeparlamentari Meta vijon të këmbëngulë për impulse të reja në qeveri. Deklaratën e radhës e bëri edhe sot pas një takim të koalicionit të majtë, Edi Rama, bashkë me dy ministra, e kreret e grupeve parlamentare PS-LSI.

“Impulset e reja duhen në çdo moment”,- tha Meta, edhe pse një ditë më parë kryeminsitri Rama u shpreh se aleati i tij nuk i ka kërkuar ndryshime në qeveri.

I pyetur për ecurinë e reformës në drejtësi, Meta është përgjigjur se “Është një gjë pozitive që nesër prezantohet drafti, do jetë hap pozitiv që të shprehet sa më shpejt Komisioni i Venecias”.

Kryeministri Edi Rama dhe aleati i tij kryesor, kryeparlamentari Ilir Meta janë takuar sot rreth orës 10:10 të mëngjesit,në rezidencë qeveritare përballë Kryesisë së Kuvendit. Burime të News 24 bënë me dije se në takim ishin të pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi si dhe kreu i komisionit të Ligjeve, njëherësh kryetari i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafa si dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Pak pas tyre takimit i janë bashkuar edhe kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço.

Takimi i koalicionit të majtë zgjati plot 100 minuta, ndërsa i pari ka dalë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili nuk ka komentuar, e pas tij kreu i Kuvendit Meta.

Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi e ka vlerësuar pozitive faktin që në lidhje me ligjin për dekriminalizimin do të shprehet edhe Komisioni i Venecias, ndërsa shtoi se mazhoranca është pro miratimit të këtij ligji.

Në lidhje me koalicionin me LSI, Ruçi iu përgjigj gazetarëve: “Besoj se nga pas nuk kishte ndonjë të vrenjtur apo jo?! Të gjithë të qeshur, të lumtur”

(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: