Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka bërë publike detaje nga takimi me zyrtarin e lartë amerikan Philip Reeker, i cili shërben si Ndihmës Sekretar i Shtetit. Cakaj shkruan në një postim në Facebook se SHBA mbështet hapjen e negociatave në tetor.


“Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, ShBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor,” shkruan Cakaj.


Cakaj thotë se reforma në drejtësi është një model rajonal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej,” thotë Cakaj.


Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se në takim u nënvizua “marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik” midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai prek dhe rëndësinë e çështjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në takim u theksua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i ShBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi,” shkruan Cakaj.

Cakaj shton se Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-ve, por edhe një aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës.
“ShBA-të vlerësojnë pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024,” thotë Cakaj.

Ministri në Detyrë thotë se SHBA-të janë referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Shqipëria është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin e kultivojë partneritetin me ShBA-të në të gjitha fushat përkatëse! Orientimi euroatlantik është themeli vleror i politikës së jashtme të Shqipërisë në përgjithësi! ShBA-të janë referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë,” përfundon Cakaj postimin në Facebook.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb