NGA ERJOLA JATA* TIRANË- Diskutimi i nisur më herët në parlament mes Tom Doshit dhe Koço Kokëdhimës lidhur me konfliktin me kryeministrin Rama ka vijuar edhe në tryezën ku të dy drekuan bashkërisht në një restorant në kryeqytet. Fakti është mësuar nga mediat dhe pohuar nga vetë deputeti i majtë Kokëdhima, që pas seancës plenare është shprehur për News24, duke u përpjekur ta lidhë reagimin e Tom Doshit, me shpirtin gjaknxehtë të ballkanasve.

“Me Tom Doshin kaluam shumë mirë, jemi kolegë, nuk e kam drekën e parë me të, sigurisht gazetarët janë të interesuar të dinë. Ai moment që është prezantuar në publik nga Tom Doshi për një konflikt, brenda nesh nuk do të ndodhi jemi të përgjegjshëm”, tha Kokëdhima.

Ai u shpreh se pavarësisht kontradiktave mes të majtës, prioritet mbeten qytetarët.

“Kemi prioritet interesat e qytetarëve të zgjedhësve tanë, jemi shqiptarë jemi ballkanas kemi ato gjaknxehtësitë. Përfshihemi në pakënaqësi dhe emocion negativ por nuk do të ketë probleme. Tom Doshi është deputet i PS-së, pjesë e jona dhe do punojmë së bashkë me të, me të gjithë deputetët e tjerë për të përballuar sfidat e mëdha për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të mirë për një ekonomi më të mirë”, tha Kokëdhima.

Prej dy ditësh deputeti socialist Tom Doshi ka shfaqur pakënaqësi ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama duke deklaruar se ka ardhur koha për ndryshime në kabinetin qeverisës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: