Diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, pritet të takohet së shpejti me Presidentin amerikan, Donald Trump, në një samit historik që po pritet shumë nga e tërë bota. Kim pritet që të udhëtojë për në Singapor në mes të qershorit kur pritet të mbahet samiti që ndërmjetësohet nga Kina e Koreja Jugore. Megjithatë, takimi i paraparë mes presidentit Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong-un do të ndodhë në Singapor, ashtu siç ishte paraparë në 12 qershor.


Në samitin e Singaporit, ku përveç shtrëngime duarsh do të ketë edhe marrëveshje mes dy shteteve, tani është shfaqur një ngecje tjetër; kush do të paguajë faturën e hotelit për Kim Jong-un. Ai do të flejë në hotelin “The Fullerton”, ku çmimi varion rreth 6000 euro për një natë. Por Koreja Veriore nuk ka dashur t’i paguajë vetë shpenzimet. Siç mëson më tepër Washington Post, amerikanët druhen se pagesa e drejtpërdrejtë nga Uashingtoni mund të interpretohet si “ofendim” nga ana e Koresë së Veriut dhe për këtë po përpiqen që të gjejnë mundësinë që fatura të paguhet në emër të Singaporit.


Në samit pritet që liderët të dakordohen për dhënien fund të luftës me dy Koreve dhe të bëhet ndonjë përparim në drejtim të ndaljes së programit bërthamor të Koresë së Veriut. (o.k/BalkanWeb)