TIRANE– Përfaqësues të biznesit kanë zhvilluar sot në mbrëmje një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe përfaqësues të bashkisë, ndërsa në fokus të diskutimit kanë qenë 7 kërkesa për taksat e reja.

Fill pas takimit, një nga përfaqësuesit ligjorë të biznesit kryeqytetas, Adriatik Lapaj pohoi për gazetarin Mariglen Mërtiri se në Bashki u parashtruan 7 kërkesa, 6 nga të cilat sipas tij nuk u pranuan. Juristi ndër të tjera deklaroi se kryebashkiaku Veliaj u tërhoq nga tarifa e tavolinës, e cila do të bëhet zero.

“Përfaqësuesit e bashkisë ishin të ngurtë. Nga 7 kërkesat pranuan vetëm njërën, zerimin e tarifës së tavolinës. Në lidhje me sipërfaqen që shfrytëzojnë bizneset, hapësira publike, meqenëse ata nuk e pranuan propozimin fillestar, ne i dhamë një zgjidhje të dhimbshme disi por për të arritur një marrëveshje për krijimin e fashave të pagesës. Mbi 120 metër katror hapësirë e zënë paguhet me 10-fish. Nga zero në 40 metra të vazhdojë të jetë 1500 lekë të vjetra për metër katrorë. Për 40 deri 80 metër katror i paguan me dyfishin, 3 mijë lekë. Fasha e tretë nga 80-120 metër katrorë, paguan 4500 lekë të vjetra për metër katrorë”, tha përfaqësuesi i bizneseve, por për këtë kërkesë është lënë dita e mërkurë për një përgjigje nga ana e bashkisë.

Lapaj tregoi gjithashtu se gjatë takimi ka patur momente tensioni mes përfaqësuesve të bashkisë dhe biznesmenit Nikollaq Neranxi, gati në përplasje fizike.

“Bashkia ishte kundër për këtë por në momentet e fundit pas tensionit që u krijua me zotin Neranxi, pati një konflikt në kufijtë problematikë, kryebashkiaku disi reflektoi dhe u la e hapur që pasnesër të merret një vendim me këtë propozim. Kryebashkiaku kërkoi kohë për të parë dëmin që shkaktohet në buxhet. Unë isha si përfaqësues ligjor, kam folur vetëm për pjesën e ligjit, shkeljen që është bërë. Pashë tension, nëse nuk ka marrëveshje ka për të percepituar situata. Qytetarët ishin shumë mirëkuptues. Ishin dakord për taksën e arsimit pavarësisht se është e rëndë, le të qëndrojë, edhe taksa e pastrimit, që qyteti të jetë më i pastër”, tha juristi Lapaj.

Ai theksoi se u la rrugë e hapur për atë që është edhe debati kryesor, tarifën e tavolinave dhe hapësirën publike. “Për tavolinat nëse nuk tërhiqen do kenë probleme me tregtarët”, deklaroi juristi i bizneseve.

Taksat e Bashkisë sa 30-40% e xhiros, ja kërkesat e biznesit 
Pas protestave para Bashkisë, tregtarët e kryeqytetit i dorëzuan sot pasdite Erion Veliajt kërkesat zyrtare për uljen e taksave. Sipas biznesit te vogel, me taksat e reja, Bashkia nuk po ben gje tjeter vecse po i falimenton.

Bizneset kryeqytetase kanë ndërprerë protestat pas takimit të parë më Erion Veliaj më 27 shkurt për të filluar bisedimet për uljen e taksave, e nëse kjo nuk do të ndodhë biznesi sërish do të mblidhet para bashkisë për protestën e radhës. Kryebashkiaku Veliaj ka ftuar komision e protestës sot në mbrëmje në një diskutim për marrëveshje për shqetësimet e tyre.

Kërkesat kryesore të biznesit;
– rikthimi i taksës së ndërtesës sa ka qenë
– taksa mbi truallin të hiqet pasi është e pajustifikuar
– taksa e tabelës të kthehet në nivelin e mëparshëm taksa
– për infrastrukturën arsimore të hiqet për familjet
– infrastruktura arsimore të rishikohet për biznesin
– Një tjetër kërkesë është edhe rikthimi në nivele të mëparshme të taksës së pastrimit
– rikthim në nivelin e mëparshëm të taksës së zënies së hapësirës publike

Ndërkohë që zërat për një bashkëpunim të mundshëm mes këshilltarëve të djathtë dhe të LSI-së në Këshillin Bashkiak për ndryshimin e këtyre taksave i ka hedhur poshtë kreu i grupit të LSI Shezai Rrokaj. Për News24 Shezai Rrokaj deklaroi se janë të gatshëm të dëgjojnë kërkesat e biznesit por pa e politizuar cëshjtjen pasi e konsideron biznesin partner në zhvillimin e kryeqytetit ndërsa thekson se demokratët në këshill nuk reaguan në dhjetor për taksat që kundërshtohen sot.

Kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli ka dorëzuar të njëjtën kërkesë, para dy ditësh tek Bashkia.
“Kemi kundërshtuar 16 orë taksat dhe tarifat vendore, i kemi depozituar dhe nuk na u morën parasysh. Kundërshtuam taksën e infrastrukturës për plasje ligjore. Propozimi datës 30 dhjetor u ribë sërish këto ditë . Kush nuk ka qenë prezent nuk ka kuptuar kërkesat tona për taksat dhe tarifat”.

“Shokohen” bizneset, taksat e Bashkisë sa 30-40% e xhiros
Ne nje artikull te sotem, ‘Monitor’ shkruan se një bar kafeje, subjekt i biznesit të vogël i kërkohet të paguajë vetëm taksë hapësire aq sa do të paguante tatim fitimi një biznes i madh me të ardhura 10-15 herë më të larta…

Sipas ‘Monitor’, sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë po bëhen publike përmasat e barrës së lartë fiskale që po u ngarkohet nga Bashkia Tiranë subjekteve të kryeqytetit, që mbi të gjitha po rezulton se nuk ka asnjë logjike ekonomike.

Një subjekti bar kafe në zonën e periferisë së liqenit, që nuk ka zënë asnjë trotuar, por shfrytëzon në bazë të marrëveshjes së rregullt një hapësirë publike, i ka dalë në sistem taksa e zënies së hapësirës publike prej 184,500 lekë në muaj, nga 18,450 që ishte e njëjta taksë një vit më parë (shiko në foto të dhënat që i kanë dalë në sistem).

Administratorja e barit në fjalë, që e ka marrë në përdorim nga nëntori pohon se ajo mesatarisht ka një xhiro mujore prej 600 mijë lekësh, çka nënkupton se vetëm tarifa e zënies së hapësirës i kushton sa një e treta e të ardhurave, ndërsa subjekti ka dhe shpenzime të tjera, si qira, paga, energji, kosto materiale etj. Administratorja pohon se ajo nuk fiton në muaj aq sa i kërkohet të paguajë taksë zënie hapësire.

Subjekti në fjalë ka një xhiro vjetore prej 7.2 milionë lekësh, që e klasifikon atë si biznes të vogël me TVSH (kufiri i bizneseve të vogla është 8 milionë lekë). Për krahasim të shumës që asaj i kërkohet të paguajë në raport me xhiron, marrim disa raste për biznese të mëdha me qarkullim vjetor, duke filluar nga dy herë më të larta se kjo bar-kafe, me një normë të supozuar fitimit prej 20% të xhiros, që është një normë e kënaqshme. Nga tabela më poshtë rezulton se nëse marrin një subjekt me dyfishin e xhiros, ai duhet të paguajë këste mujore të tatim fitimit prej 36 mijë lekësh, 5 herë më të ulët se taksa e hapwsirws, që i kërkohet bar kafesë në fjalë.

Vetëm subjekti me një xhiro 10 herë më të lartë, pra 72 milionë lekë, do të paguante një tatim fitimi prej rreth 180 mijë lekësh.

Krahas taksës së zënies së hapësirës, biznesi duhet të paguajë dhe taksën për çdo tavolinë prej 2500 lekë në muaj, taksën e arsimit prej 4000 lekë në vit, të pastrimit prej 10 mijë lekë në vit. Këto nuk kanë dalë ende në sistem. Vetëm nga taksa për tavolinë subjekti duhet të paguajë edhe të paktën 77 mijë lekë në muaj (rreth 120 metra i llogaritur me 30 tavolina dhe me tarifën vendosje hapësia në muaj në hapësirat publike për tavolinë, që sipas tabelave të Bashkisë është 2500 lekë). Duke shtuar dhe tarifën për tavolinë, subjekti vetëm për këto dy taksa do të duhet të paguajë rreth 260 mijw lekw, apo 40% të të ardhurave, një përqindje që do të ishte falimentuese për çdo lloj biznesi.

Për krahasim, një biznes i madh me një xhiro 15 herë më të lartë (rreth 108 milionë lekë) llogaritet të paguajë një tatim fitimi mujor prej rreth 260 mijë lekësh.

taksa

tabela

(d.b/ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: