TIRANE- Kreu i qeverisë, Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin e përvitshëm për Ballkanin. Pikërisht “Rigjallërimi i Ballkanit”, do të jetë tema e diskutimeve me krerët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të rajonit.

Një tjetër diskutim ka të bëjë me impaktin për perspektivat e rajonit deri në 2020, ku pritet të përmendet dhe Kosova, e cila gëzon gjithashtu një perspektivë evropiane si vendet e tjera të rajonit. Ndërkohë mësohet se kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka anuluar pjesëmarrjen e tij për takimin vjetor mbi Ballkanin që organizohet sot nga Miqtë e Evropës.

Kryeministri serb ka preferuar të evitojë një përplasje të mundshme mbi Kosovën në këtë panel, duke ia përcjellë këtë përfaqësim fillimisht numrit dy të kabinetit të tij Ivica Daçiç, e më pas kryenegociatores së palës serbe. Por në prag të takimit, pritet që Serbia të mungojë për herë të parë në takimin vjetor të Miqve të Europës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: