TIRANË

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka folur pas takimit me Presidentin Ilir Meta. Në emër të 5 kryetarëve të partive aleate të PD, Mediu falënderoi Kreun e Shtetit dhe u shpreh optimist se nga ana e tij do të ketë diskutime me palët e tjera, për zgjidhjen e krizës politike dhe parandalimin e çuarjes së vendit në konflikt.

“Dua të falënderoj Presidentin për një diskutim shumë të hapur në raport me shqetësimin tonë. Duhet të parandalojmë që vendi të shkojë në një konflikt. Duhet të lezxojmë qartë dhe mesazhet e ardhura nga Berlini. Presidenti ka bërë gjithçka që pushtetit gjyqësor t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe ka ndërmarrë iniciativa dhe me maxhorancën dhe opozitën në mënyrë që zgjedhjet të jenë sa më gjithpërfshirëse e kushtetuese.
Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona. Në vlerësim të kërkesës sonë do të ndërmarrë veprimet e veta edhe për diskutim me palët e tjera politike. Mendoj që presidenti i republikës jo vetëm është në një valë shqetësimi për situatën në vend po ka dhe angazhim me palët për t’iu përgjigjur situatës”, deklaroi Mediu.


(m.k/BalkanWeb)