Këshilli i Sigurisë Kombëtare në SHBA dhe Departamenti i Shtetit Amerikan kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, respektivisht çështjen e taksës së vendosur nga qeveria dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Mediat kosovare kanë zbuluar mesazhin e qartë i cili tashmë iu është transmetuar në formë të shkruar autoriteteve shtetërore kosovare.


Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane  ndaj Kosovës është përmbledhur në tetë pika kryesore, të cilat theksojnë se masa e marrë për të vënë taksën, nuk është konsultuar me SHBA.


  1. “Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
  2. “Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.
  3. “Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.
  4. “Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.
  5. “Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.
  6. “Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.
  7. “Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.
  8. “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”.

Klan Kosova gjithashtu e ka të konfirmuar që me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, ky mesazh është përcjellë tek pesë institucionet të rëndësishme shtetërore të Kosovës nëpërmjet kanaleve diplomatike.