KOSOVË

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur në një intervistë për kanalin T7 në Kosovë se pas dorëheqjes së tij nuk ka marrë një letër nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërkohë që ka marrë plot letra të tjera nga politikanë shqiptarë por edhe liderë të rajonit.


“Kam marrë shumë shkresa prej kryeministrave të rajonit, por jo prej Edi Ramës. Prej Shqipërisë më kanë shkruar presidenti Berisha, Moisiu, presidenti Meta ishte këtu, etj”, ka deklaruar Haradinaj në televizionin T7.


I pyetur për sërish për taksën dhe për një krisje të mundshme me kryeministrin Edi Rama, Haradinaj tha se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë për inat të kryeministrit të Shqipërisë apo presidentit të Kosovës, por për të mbrojtur shtetin.


“Unë jam i detyruar ta mbroj tërësinë territoriale të Kosovës, pra nuk e kam prej qejfit as prej arrogancës, jam i detyruar ta mbroj Kosovën si agjendë. Unë taksën nuk e kam tregti me Serbinë, taksën e kam me shpëtu prej ndarjes ose prej ‘Dodik Republikës’. Nuk i kam mbajtur këto qëndrime për inat të Edit (Ramës), apo dikujt tjetër, kujdo qoftë, ose të Hashimit (Thaçit) apo Kadrisë (Veselit). Unë besoj se po e hoqën taksën, e ke çelë derën për njërin prej dy çmimeve, unë besoj se po e mbajtëm taksën si i ka hije, si zotni, unik, ato dyja nuk janë më temë, e jep tregun për njohje. Kaq e thjeshtë është, kujt i kam borxh në këtë rast që i shërbej këtij besimi?”, ka pyetur Haradinaj.

Kryesministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen pasi është thirrur nga Prokuroria e Specializuar për Kosovën me seli në Hagë (të njohur si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë), ku paraqitet këtë të martë. Ai tha se në Hagë duhet të shkojë si qytetar i thjeshtë e jo si kryeministër.
Haradinaj tha se udhëheqja e ardhshme e Kosovës duhet të zgjidhet nga populli dhe se, pas kthimit nga Haga, do të angazhohet brenda partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe do të përgatitet për zgjedhje të reja.

(BalkanWeb)