Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka folur veç të tjerash edhe në lidhje me taksën e vendosur në “Thumanë- Kashar”. Ai u shpreh se kjo taksë rëndon qytetarët, ndërsa premtoi se me ardhjen në pushtet, PD do të anulojë të gjithë tenderat e për segmentet e rrugës Milot-Fier.

Berisha ka bërë thirrje që qytetarët e veriut të organizohen në mosbindje të fuqishme civile për të shembur çdo barrierë, me vendosjen e kësaj takse të cilën e quajti raciste.

“Kjo taksë rëndon shumë buxhetin e qytetarëve. Një qytetar nga Hasi, Tropoja, edhe nga Kukësi, për të ardhur në Tiranë dhe për t’u kthyer duhet të shpenzojë të njëjtën shumë parash që shpenzon me EasyJet, Tiranë-Bruksel apo Tiranë-Budapest dhe ky është një qëndrim i bazuar në urrejtje, i bazuar në diskriminim racist ndaj atyre që nuk e votojnë Edi Ramën.

PD u bën thirrje qytetarëve të veriut të organizohen në mosbindje të fuqishme civile për të shembur çdo barrierë, me të cilat Edi Rama kërkon t’u vendosë taksa raciste.

PD garanton qytetarët se me ardhjen e saj në pushtet, çdo taksë nga Vermoshi në Konispol do të hiqet dhe nuk do ekzistojë për asnjërën nga rrugën, autostradat e ndërtuara në Shqipëri.

PD paralajmëron ndërtuesit, mos u bëni bashkëautorë në koncesione, të cilat rëndojnë mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë në mënyrën më të tmerrshme.

Lidhur me këtë, deklaroj se ne, tenderat e shpallur në këtë fundvit, qoftë ai i Porto Romanos, qoftë tre segmentet e rrugës Milot-Fier, në mënyrë absolute nuk do të njihen, por do të bëhen përgjegjës dhe do ndiqen penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në këto tendera në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral, i cili ndalon qeverinë të bëjë prokurime dhe tendera 4 muaj para zgjedhjeve.

Unë i ftoj biznesmenët, ndërtuesit, të mos harrojnë se ligji është edhe për qeveritarët, edhe për kompanitë që me vetëdijë e shkelin atë. Segmentet e shpallura janë në këtë periudhë vetëm që qeveria të mbushë thasë me euro gjatë fushatës elektorale dhe janë në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, që është Kushtetuta e zgjedhjeve.

Këto kisha, duke pasur parasysh që me këto pushime të zgjatura, Shqipëria po i afrohet Nepalit.

Por nepalezët kanë një meritë, vërtet kanë shumë ditë pushimi, por punojnë 8 euro dhe nuk kanë uikend. Përndryshe, kanë 39 ditë festa. Aty po i çon edhe Edi Rama në kundërshtim me çdo lloj rregulli. I duhet sa më pak të punojnë dhe të ikin shqiptarët nga Shqipëria”, u shpreh Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb