KOSOVË

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli ka riapeluar që taksa ndaj Serbisë të pezullohet të paktën për 120 ditë.

Ai theksoi se nuk do të lejojë që në politikën kosovare Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian të jenë kundër Kosovës dhe aq më pak në anën e Serbisë.

Në një reagim të bërë sot, ai ka kritikuar edhe partnerin e koalicionit dhe njëherësh kryeministrin, Ramush Haradinajn.

“Ne mund të pezullojmë përkohësisht atë vetëm në një periudhë të caktuar. Pezullimi 120 ditor ka si qëllim që Kosova ta vë në një anë me Shtetet e Bashkuara dhe perëndimi si reflektim i përbashkët për t’i dhënë mundësi  Serbisë që të kemi një marrëveshje historike të përbashkët. Nuk dua dhe nuk do të lejoj që në politikën tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të jenë kundër nesh dhe aq më pak të jenë në anën e Serbisë…nuk mbrohet Kosova dhe sovraniteti i saj duke e injoruar Amerikën dhe interesat e saj strategjike në rajon këto janë dhe interesa tonë kombëtare të vetmuar nuk kemi me arritur askund”, tha ai.

Ai iu rikthye edhe njëherë çështjes së dialogut me Serbinë dhe për këtë tha se Kosova është në një moment vendimtar duke shtuar se politika kosovare nuk do të tolerojë cenimin e interesit kombëtar të Kosovës.

“Dialogu me Serbinë duhet të ndodhë, duhet t’i besojmë vetës sonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnereve tanë perëndimor. Ka ardhur koha që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Marrëveshja e cila do të përmbyllte një herë e përgjithmonë kapitullin e armiqësisë mes dy vendeve tona…Kosova hynë në dialog me Serbinë sepse i beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe Bashkimit Evropian.

Kosova hynë në dialog jo për ta dobësuar vet vetën, por për ta fuqizuar shtetit e pavarur dhe sovran. Qëllimi jonë është shumë i qartë  në përfundim të dialogut duhet të prodhoj një marrëveshje me anë të së cilës Serbia e njeh shtetin e Kosovës dhe hapet rruga për anëtarësimi tonë në të drejtat e plota në organizatën e Kombeve  të  Bashkuara. Kjo marrëveshje nuk do të ndodhë pa u respektuar sovraniteti dhe integriteti i plotë i shtetit tonë.”, tha mes tjerash kryeparlamentari Veseli.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: