Ish-deputeti i Partisë Demokratike Endri Hasa në një deklaratë për mediat tha se qeveria ka vendosur që të ketë taksë prej 2.5 euro për këdo që kalon me makinë në autostradën Tiranë – Durrës, duke thënë se kjo është tjetër grabitje e qeverisë së Ramës.


Hasa u shpreh se Rama në bashkëpunim me ministren Balluku po vjedhin shqiptarët, ndërsa shtoi se kur PD të vijë në pushtet, taksa do të hiqet.


“Pak ditë më parë, PD paralajmëroi shqiptarët se qeveria shqiptare ka nisur të zbatojë projektin “të kapim ç’të kalim”. Ndër ta është edhe koncesioni për autostradën Tiranë – Durrës, duke detyruar shqiptarët të paguajnë 2.5 euro. Në krye ka vendosur ministren Balluku. Fituesi i koncesionit është paracaktuar muaj më parë nga qeveria e Edi Ramës, njësoj si në autostradën Durrës- Kukës.


Për autostradën Tiranë – Durrës qeveria ka shpenzuar 4 milionë euro për shpenzime me palma. Këto para do të hidhen në kosh se Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë vendosur të vjedhin shqiptarët. PD paralajmëron kompanitë që të mos marrin pjesë në koncesione të tilla. Partia Demokratike iu thotë shqiptarëve se kur PD të vijë në pushtet nuk do lejojë të tilla koncesione, por në autostradë do të kalohet falas. Kjo është arsye tjetër pse Rama duhet që të largohet”, deklaroi ish-deputeti Hasa.

(d.xh/Balkanweb)