TIRANE- Në kulmin e sezonit turistik, kur qytetarët shqiptarë po qarkullojnë më shumë brenda e jashtë vendit, bëhet e domosdoshme nevoja për të ditur sa është kufiri i pataksueshëm i bagazheve personale. Dogana shqiptare sqaron se udhëtarët që vijnë nga një vend tjetër në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet e importit për mallrat që gjenden në bagazhin e tyre personal.

Mallrat përjashtohen nëse, për nga lloji dhe sasia e tyre, nuk kanë për qëllim përdorimin tregtar. Përfitojnë përjashtim mallrat e përdorimit vetjak të udhëtarëve ose mallrat për dhurata. Vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkolit) eshte sipas vlerës ekuivalente në lekë të shumave, si më poshtë:

Udhëtarët në rrugë tokësore
300 euro për çdo udhëtar

Udhëtarët në rrugë ajrore ose në rrugë detare
430 euro për çdo udhëtar

Për udhëtarët nën 15 vjeç
150 euro

Gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë mallrat nëse janë me vlerë më të lartë se kufiri përkatës i sipërpërmendur si dhe nëse janë për qëllime tregtare. Autoritetet doganore mund t’i kërkojnë udhëtarit që të tregojë të gjitha mallrat që transporton.

Kujdes!Për mallrat me natyrë jo tregtare në bagazhin e udhëtareve që e tejkalojnë kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: