AFGANISTAN-Një zog i pajisur me një jelek bombë, kamer mbikëqyrjeje dhe një GPS u vra këtë fundjavë nga forcat afgane pasi ishte lëshuar për të kryer një mision terrorist nga talebanët.
Zogu, në madhësinë e një shqiponje, u qëllua teksa fluturonte sipër një autostrade në provincën e shkatërruar plotësisht të Farajabit, në Afganistan.

Zogu kishte ngjallur dyshime te policia afgane, e cila vendosi ta filmonte atë. Pasi kanë dalluar pajisje të dyshimta në trupin e tij, ata e kanë qëlluar shpendin.
Sipas “The Mirror”, zogu ka shpërthyer duke hedhur në çdo drejtim pajisje metalike.

Autoritet vendase thonë se zogu përdorej nga talebanët për misione mbikëqyrjeje. Ai ka tërhequr vëmendjen e tyre, pasi nuk ishte specie që jetonte në këto zona.

“Ne jemi duke mbledhur të gjitha pajisjet e shpërthyera, por deri tani kemi gjetur disa pjesë që duket se i përkasin një GPS-je dhe aparati fotografik”, tha shefi i policisë në provincën e Farajabit, Abdul Nabi Ilham.

Kafshët janë përdorur në operacione të ndryshme ushtarake në të kaluarën, si për të survejuar dhe zbuluar, ashtu edhe për sulme.

Sipas “National Geographic” që nga viti 1960, marina amerikane trajnonte delfinët në Kaliforni për të zbuluar mina nënujore dhe për të zbuluar ata që shkelnin hapësirën ujore amerikane me nëndetëse.

Në verën e këtij viti, luftëtarët e Hamasit përdorën një gomar në një sulm terrorist me bombë. Militantët e ngarkuan kafshën me eksploziv dhe e shtynë atë drejt një grupi ushtarësh izraelitë, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati asnjë të lënduar.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb