Në mbyllje të vitit 2024, u organizua një panel diskutimi në kuadër të aktivitetit “Talk Tourism Tirana“, ku ekspertë të njohur të turizmit analizuan gjetjet e një studimi të realizuar në tetor-nëntor 2024. Sofjola Kotelli, Majlind Lazimi, Zak Topuzi dhe Fabjola Arapi diskutuan për zhvillimin e turizmit në Tiranë, si qender urbane dhe si destinacion turistik rural.
Përfaqësuesit e ketij paneli, te angazhuar prej vitesh ne zhvillimin dhe permiresimin e turizmit ne Shqiperi, theksuan rëndësinë e unifikimit dhe çertifikimin e produktit, qendrueshmerine e turizmit me perfshirjen e dimensionit ambjentalist dhe trashegimine kulturore, apo kthimin mbrapsht te investimit në permiresimin cilesor te kesaj industrie. Nevoja per krijimin e produktit turistik, koordinimin e aktoreve dhe shmderrimin e Tiranes ne pike kyçe si destinacion eventesh, ishin disa nga konkluzionet e ketij diskutimi e debati për të ardhmen e turizmit.
Një nga gjetjet kryesore të studimit ishte se rreth 150 biznese qe ju pergjigjen pyetsorit dhe që operojnë në këtē sektor, theksuan nevojën urgjente për ruajtjen e identitetit historik të qytetit. Sipas tyre, Tirana ka mundësi të bëhet një destinacion i qëndrueshëm turistik nëse investohet në strategji për zhvillimin e turizmit kulturor dhe historik, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës.
Një tjetër gjetje interesante e studimit ishte se kulinaria është arsyeja më e fortë pse turistët zgjedhin të vizitojnë Tiranën, me rreth 61% të përgjigjeve që e shohin atë si tërheqjen kryesore. Megjithatë, shumë ekspertë dhe biznese të turizmit janë të shqetësuar për atë se çfarë mund të ofrohet pas përvojës gastronomike. Kjo sfidë thekson mungesën e një produkti turistik gjithëpërfshirës që shkon përtej gatimeve dhe shijes, dhe fokusimi në zhvillimin e Tiranës rurale dhe burimeve natyrore që ofron përreth qytetit.
Zonat rurale dhe asetet natyrore të Tiranës janë një potencial i madh i pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit. A groturizmi, degustimi i verës, dhe turet në vreshta janë aktivitete që kanë njohur një bum të madh gjatë dhe pas pandemisë. Sipas të dhënave të studimit, 43.2% e të anketuarve e çmojnë ofertën turistike jashtë qendrës së Tiranës me një vlerësim pozitiv, megjithatë këto aktivitete mbeten akoma sporadike dhe të paorganizuara si duhet.
Ekspertët e turizmit sugjerojnë se për të shfrytëzuar këtë potencial, është e nevojshme të krijohen zone të qarta zhvillimi dhe të ndërtohet një infrastrukturë e përshtatshme që i mbështet. Kjo perfshin hartimin e tureve rurale, promovimin e produkteve lokale dhe krijimin e partneriteteve midis aktorëve të ndryshëm të industrisë së turizmit.
Një tjetër pyetje e rëndësishme e përfshirë në studim ishte infrastruktura publike. “Nnë cilën fushë ka më shumë nevojë Tirana për ndryshim dhe përmirësim?“, 65.3% e të anketuarve theksuan se përmirësimi i infrastrukturës publike është i nevojshëm për të mbështetur zhvillimin e turizmit. Ky sugjerim vjen pas vlerësimeve pozitive mbi Tiranën si destinacion për takime dhe konferenca, ku 40% e të anketuarve e konsiderojnë qytetin si tërheqës për ngjarje të tilla.
Megjithatë, për të rritur konkurueshmërinë e Tiranës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, është e nevojshme të bëhen përmirësime të mëdha në infrastrukturë, teknologji dhe standardet e shërbimit. Për këtë arsye, menaxhimi i destinacioneve dhe hartimi i një plani veprimi konkret për zhvillimin e turizmit janë bërë prioritet i padiskutueshëm, duke u përfshirë si një objektiv kryesor edhe në Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030.
Në këtë kontekst, për Tiranën, që përfaqëson një kombinim unik të turizmit urban dhe rural, është thelbësore të zhvillohet një model që adreson sfidat e të dyja aspekteve. Ky model, sipas panelisteve duhet të jetë i qëndrueshëm dhe të përfshijë të gjitha palët e interesuara; biznese, institucione publike dhe shoqërinë civile.
Bizneset që i janë përgjigjur këtij pyetësori përfaqësojnë sektorët e hotelerisë, gastronomisë, agjencive të udhëtimit, akomodimit (si Airbnb, bujtina), agroturizmit, bizneseve familjare, guidave turistike, kompani eventesh dhe aktiviteteve outdoor, si dhe institucione publike kulturore si muzeume dhe teatro.
Ky diskutim tregon se Tirana ka mundësinë të bëhet një destinacion tërheqës dhe i qëndrueshëm për turistët, përmes një qasjeje të përbashkët dhe investimeve të menaxhuara me kujdes në zhvillimin e saj të diversifikuar.
(BalkanWeb)