Qeveria ka miratuar një vendim, i cili synon të zhbllokojë ngërçin e pronësisë për banesat e ndërtuara para vitit 1991. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegoi se çfarë hapash duhet të ndjekin qytetarët për të marrë dokumentin e pronësisë. Aktualisht janë rreth 60 mijë banesa të ndërtuara para vitit 1991, për të cilat pronarët nuk kanë mundur të marrin dokumentin e pronësisë, duke përfshirë edhe banesat në lagjet mesjetare të qyteteve si Berati, Gjirokastra apo Shkodra. Sipas Lames, arsyeja për këtë ngërç ka qenë neglizhenca e institucioneve, mungesa e dokumentacionit nga pronarët, por edhe procedurat burokratike. Duke filluar nga shtatori, të gjithë pronarët e këtyre banesave duhet të aplikojnë për marrjen e pronësisë në sportelet e ALUIZNI-t. Sipas Lames, këta qytetarë duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentet që zotërojnë dhe më pas e gjithë procedura deri në dhënien e pronësisë do të kryhet nga vetë ALUIZNI.

Vendimi
Vendimi “Për përcaktimin e procedurës të kalimit të pronësisë dhe të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të ndërtuara deri në 10.08.1991 dhe të truallit funksional të tyre” regjistrimit të banesave të ndërtuara para vitit 1991. Drejtori i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimi të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Artan Lame në një deklaratë për mediat theksoi se vendimi shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të objekteve të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon. “Qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë pasur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht”, tha Lame. “Mjafton të kujtoj këtu absurdin që edhe qytete si Gjirokastra, Shkodra, Berati, Elbasani apo Korça – shtoi Lame – i kanë ende të papajisura me dokumente pronësie shumicën e pronave të banesave në lagjet mesjetare të tyre”.

Regjistrimi
Për herë të parë, shteti shqiptar filloi procesin e regjistrimit të banesave në vitin 1995. Kjo u bë asokohe me vendimin nr. 432 datë 14.08.1995 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”. “Ky vendim është aplikuar në atë kohë në masë minimale në disa zona rurale dhe sikurse kuptohet nga vetë titulli, nuk e trajtonte problemin për të gjithë territorin e vendit, por ofronte një zgjidhje të pjesshme vetëm për fshatrat. Më pas është vijuar me VKM 608 datë 05.09.2012, i cili gjithashtu nuk e ka realizuar dot qëllimin e tij gjatë këtyre gjashtë viteve. Arsyet e dështimit të këtyre dy vendimeve të kaluara lidhen së pari me mungesën e kapaciteteve njerëzore, por në shumë raste edhe të vullnetit, apo neglizhencën e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë qenë organet e ngarkuara me kryerjen e këtyre procedurave. Së dyti, për sa i përket VKM nr. 608/2012, shkaqet lidhen edhe me burokratizimin e tepruar të procedurës dhe mbi të gjitha me qasjen jorealiste ndaj problemit”, – thotë Lame.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/07/21/tapi-per-60-mije-shtepi-lame-dokumentet-dhe-procedurat/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb